Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të mbetet jofunksional deri në një vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për emërimin e anëtarëve të ri që do të jenë në përbërje të këtij komisioni, vlerësojnë përfaqësues të partive politike në pushtet dhe opozitë, si dhe njohës të zhvillimeve në Kosovë.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës thonë se që moti i kanë dërguar emrat e të propozuarve nga ta, për anëtarë të KQZ-së, por vendimi për emërimin e tyre i takon presidentit të vendit.
Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, që është partneri më i madh brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e funksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më nuk është në dorën e partive politike.
Megjithatë, ngecja në funksionalizimin KQZ-së, sipas tij, qëndron te kontesti që është krijuar lidhur me përfaqësimin që do ta kenë në këtë komision partitë politike të koalicionit qeverisës.
“Këtu është një kontest se kush duhet t’i dërgojë, cila parti të dërgojë një emër. Është fjalë ndërmjet Aleancës (për Ardhmërinë e Kosovës) dhe Nismës (Socialdemokrate). Përfaqësuesin tonë si PDK e kemi dërguar. Ne e kemi dërguar emrin atje, si subjekt politik, se kush duhet të jetë anëtar i KQZ-së dhe kjo më nuk është punë e partisë, por është punë e presidentit të vendit. Besojmë që ai, shumë shpejt, këtë çështje do ta vendosë. Ne, në vendimin e tij, nuk mund t’i përzihemi”, tha Musmurati.
Ndërkaq, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare, më parë kanë ngritur shqetësimet lidhur me mosemërimet e anëtarëve të KQZ-së, duke thënë se presidenti Thaçi, “ka bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga data 27 mars 2018” dhe se me këtë, është krijuar një precedent i rrezikshëm për sistemin zgjedhor dhe për demokracinë në vend.
Rreth një javë më parë, kjo parti opozitare kishte ftuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, për të diskutuar lidhur me çështjen e mosfunksionalizimit të KQZ-së.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pati theksuar se me mosemërimin e përbërjes së re të KQZ-së nga presidenti Thaçi, ky i fundit, sipas tij, ka bërë shkelje të Kushtetutës, duke mos vepruar.
“Neni 84, pika 2 i Kushtetutës theksojnë qartë që presidenti është i obliguar që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë. KQZ-ja është institucion i përcaktuar me Kushtetutë, me Nenin 139. Nga data 27 mars 2018, që është afër një vit, presidenti, me mosveprimin e tij, pa asnjë arsye objektive, e ka pamundësuar funksionimin kushtetues të institucioneve të parapara me Kushtetutë, në këtë rast të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, pati theksuar Hoti.
Ai gjithashtu, shtoi se tash e më shumë se një vit, që për shkak të jofunksionalitetit të KQZ-së, rreth 35 këshilltarë komunalë dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk po certifikohen dhe nuk po munden të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve që i kanë zgjedhur.
Ilir Gashi, anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga PDK-ja, deri në formimin e përbërjes së re, thotë për Radion Evropa e Lirë, se situata brenda komisionit nuk është e mirë. Kjo për faktin që aktualisht KQZ-ja nuk po mund të mblidhet për t’i kryer detyrat dhe obligimet që dalin nga ligjet dhe Kushtetuta e vendit, madje as përbërja e vjetër.
“Varet prej presidentit tashmë, se kur ai mendon të bëjë një gjë të tillë (emërimin e anëtarëve të KQZ-së), sepse Kushtetuta i jep të drejtë vetëm atij dhe askujt tjetër. Por, unë nuk mund ta kuptoj arsyen se pse anëtarët e partive në opozitë nuk pajtohen të marrin pjesë në mbledhjet e KQZ-së, deri në përbërjen e re të komisionit, për t’i kryer detyrat dhe obligimet, qoftë ato me këshilltarët komunalë, deputetët apo edhe pagesat që duhet bërë partive politike nga ana e KQZ-së. KQZ-ja, në një gjendje të njëjtë juridike dhe kushtetuese, jo vetëm që ka kryer obligimet e përditshme, por ka mbajtur edhe zgjedhje në vitin 2013, ato lokale dhe të përgjithshme”, theksoi Gashi.
Ndërkaq, me gjithë insistimet e Radios Evropa e Lirë për të kuptuar arsyet e vonesës së emërimit të anëtarëve të KQZ-së nga presidenti Thaçi, zyrtarët e Zyrës së Presidentit të Kosovës, nuk kanë dashur të përgjigjen.
Në anën tjetër, Isuf Zejna nga organizata joqeveritare Demokracia Plus, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se problemi për funksionalizimin e përbërjes së re të KQZ-së ka lindur për shkak se presidenti Thaçi u ka kërkuar tri subjekteve politike që kanë qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor PAN (PDK, AAK dhe Nisma), si dhe më pas Partisë Socialdemokrate (PSD), që t’i propozojnë anëtarët e tyre për KQZ.
Sipas tij, problemi është krijuar artificialisht dhe se nuk ka dilema juridike lidhur me përfaqësimin e partive në KQZ. Në këtë rast, siç thotë ai, koalicionit PAN i takojnë dy anëtarë për KQZ dhe jo anëtar veç e veç nga partitë e këtij koalicioni.
“Është e qartë që presidenti i Kosovës, në këtë rast është duke kalkuluar me çështjen e numrave se kush do të përfaqësohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kushtetuta, ligjet, mirëpo edhe praktika, janë shumë të qarta, që përbërja në KQZ përfitohet sipas rezultateve zgjedhore, të cilat subjektet politike i kanë pasur në zgjedhjet nacionale. Me këtë formulë do të duhej të emërohej edhe përbërja e re e KQZ-së. Tash, për shkak se kemi pasur ndryshim të përbërjes së grupeve parlamentare, kjo nuk do të thotë që një subjekt politik duhet t’i humbë vendet ose numrin e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, theksoi Zejna.
Sidoqoftë, shton se me mosemërimin e përbërjes së re të KQZ-së, aktualisht është e pamundur të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, kryetarët e të cilave kanë dhënë dorëheqje, si dhe të freskohen kuvendet komunale, si pasojë e ndryshimeve që ato kanë bërë.
Siç tha Zejna, mosfunksionalizimi i KQZ-së mban peng çështjen e regjistrimit të kontrollit të partive politike dhe financave të tyre. Për më shumë, sipas tij, një numër i madh i subjekteve politike tashmë kanë mbetur pa fonde, në pamundësi të alokimit të mjeteve financiare, gjë që ka vështirësuar funksionimin e tyre.