Ndërlidhjet

Mbeten pezull dorëheqjet e kryetarëve në komunat veriore


Kryetari i dorëhequr i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq. Mitrovicë e Veriut, 27 nëntor, 2018.
Kryetari i dorëhequr i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq. Mitrovicë e Veriut, 27 nëntor, 2018.

Departamenti ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, ende nuk ka dhënë ndonjë vlerësim ligjor mbi ligjshmërinë e dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e kësaj ministrie.

Bashkim Krasniqi, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë për Radion Evropa e Lirë se Departamenti ligjor i kësaj ministrie i ka 15 ditë brenda afatit ligjor për të dhënë përgjigjen dhe se tashmë kanë mbetur edhe dy ditë për një përgjigje të tillë.

“Kanë ardhur me shkrim dorëheqjet e katër kryetarëve dhe ne i kemi ato. Mirëpo, për momentin, ende nuk ka vendim nga ministria jonë. Sigurisht që, pasi që është afati edhe dy ditë, brenda afatit ligjor ne do të japim përgjigje”, thotë Krasniqi.

Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, më herët kanë thënë që në rast se procedurat e dorëheqjeve të katër kryetarëve të komunave veriore janë të ligjshme, atëherë do të njoftohet presidenti i shtetit, i cili më pas, në bazë të ligjeve në fuqi, do të vepronte për shpalljen e zgjedhjeve të reja për pozitat e kryetarëve në katër komunat, ku janë ofruar dorëheqjet.

Më pas, Zyra e Presidentit të shtetit, në rast se brenda 5 ditëve nuk do të ketë ndonjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër atyre dorëheqjeve, përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i shpallë zgjedhjet jo më shpejt se 30 ditë dhe jo më gjatë se 45 ditë.

Në anën tjetër, anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u ka skaduar mandati kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka mandatin e emërimit, ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Por, në rast se dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave veriore vlerësohen të ligjshme nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, a do të mund Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë zgjedhje të parakohshme lokale në ato komuna, marrë parasysh skadimin e mandatit të anëtarëve të këtij komisioni?

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë lidhur me këtë çështje.

Por, Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për Radion Evropa e Lirë që anëtarët e deritashëm vazhdojnë të qëndrojnë brenda mandatit të tyre, derisa nuk ka ndonjë vendim tjetër ose dekret nga ana e presidentit të vendit. Sipas tij, në një gjendje të njëjtë juridike dhe kushtetuese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati mbajtur zgjedhje lokale dhe të përgjithshme, në vitin 2013 dhe 2014.

“Tashmë po presim që pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, presidenti ndoshta shpejt do të merr një vendim. Por, edhe në situatën aktuale, në qoftë se ne kemi pasur të drejtë, në gjendjen e njëjtë, t’i mbajmë zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme, në 2013 dhe 2014, unë konsideroj që e njëjta përbërje mund t’i mbajë zgjedhjet, kurdo që ato shpallen nga presidenti. Në rastin konkret, edhe zgjedhjet lokale në veri, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave atje”, theksoi Gashi.

Edhe Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të organizojë zgjedhje, pavarësisht skadimit të mandatit të përbërjes së tanishme të këtij komisioni.

“Në situatën e tillë çfarë është sot, edhe me këtë përbërje të Komisionit çfarë ekziston sot - ndonëse është e kontestuar për shkak të ligjshmërisë ose jo, sepse janë me mandat të skaduar dhe për shkak se ka dështuar procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj për shkak të përbërjes së Kuvendit - mendoj që deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KQZ-së, ky Komision që ekziston sot mund të shpallë dhe mbajë zgjedhje. Kështu që, në kuadër të kësaj, derisa nuk kemi një Komision të ri që emërohet nga presidenti, duhet të vazhdohet organizimi i zgjedhjeve me Komisionin ekzistues, sidomos kur flasim për zgjedhjet lokale eventuale për katër komunat veriore”, u shpreh Demhasaj.

Sidoqoftë, më 27 nëntor, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e tarifës doganore në 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG