Ndërlidhjet

A do të mjaftojnë paratë për ta bindur Viktor Orbanin?


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, gjatë një samiti të BE-së në Bruksel, 27 tetor 2023.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, gjatë një samiti të BE-së në Bruksel, 27 tetor 2023.

Kjo javë është vendimtare në Bruksel. Duke nisur nga 11 dhjetori, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të takohen për të biseduar rreth mbështetjes për Ukrainën dhe për një marrëveshje të mundshme për të vendosur më shumë sanksione ndaj Rusisë.

Të nesërmen, ministrat e bllokut evropian mblidhen për të arritur pajtueshmëri për një vendim historik në lidhje me zgjerimin e BE-së. Gjasat janë se asnjëra prej këtyre nuk do të zgjidhet para takimit vjetor të liderëve në kryeqytetin e BE-së më 14-15 dhjetor.

Zyrtarët kanë nisur të paralajmërojnë tashmë se do të punojnë gjithë natën mes 14 dhe 15 dhjetorit, dhe se ka aq shumë çështje për të cilat duhet të arrijnë pajtueshmëri, saqë takimi mund të zgjasë deri në fundjavë – 16 dhjetor.

Derisa gjetja e një mënyre për t’ua dhënë dritën jeshile Moldavisë, Ukrainës dhe ndoshta edhe Bosnjë e Hercegovinës për fillimin e bisedime për anëtarësim në BE sa më shpejt do të jetë më së vështirësi të arrihet, ka edhe çështje të tjera që duhet të sqarohen para festave të fundvitit.

Pakoja e sanksioneve kundër Rusisë dhe financimi i Ukrainës për tri vjetët e ardhshme dhe dërgimi i armëve mund të jenë temë e diskutimeve.

Dhe, në qendër të të gjitha këtyre vendimeve qëndron Hungaria.

Zhbllokimi i Budapestit

Si gjithmonë, kur bëhet fjalë për BE-në, shumë çështje mund të zgjidhen me ndihmën e parasë. Më gjasë, edhe këtë vit. Komisioni Evropian mund të vendosë që t’ia japë Hungarisë rreth 10 deri në 13 miliardë euro para samitit të BE-së, të cilat ishin bllokuar më parë nga Brukseli për shkak të shqetësimeve rreth sundimit të ligjit në vendin e Evropës Qendrore.

Disa reforma në gjyqësor që Hungaria i ndërmori në javët e fundit mund të mjaftojnë që BE-ja t’ia dërgojë asaj paratë gjatë një periudhe shtatëvjeçare. Derisa kjo është një shumë e lartë parash, 9 miliardë dollarë mbesin ende të ngrira dhe mbase Budapesti do t’i humbë për shkak se i duhet t’iu përmbahet reformave “ideologjike” në fushat si, liria akademike, të drejtat e LGBTQ dhe emigrimi – diçka që Qeveria e tanishme e Hungarisë me gjasë nuk do ta bëjë.

Por, pyetja kryesore është se a do të mjaftojnë vetëm paratë që kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të pajtohet? Kështu ka qenë gjithmonë në vitet e kaluara, sepse lideri hungarez tejkaloi çështje të ndryshme në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, apo përparimin e Kievit drejt BE-së, pasi së pari siguroi fonde për Hungarinë.

Disa diplomatë të BE-së mendojnë se gjërat kanë ndryshuar tani. Ekonomia hungareze po rritet përsëri, pas dy vjetëve ngecje. Por, ata nënvizojnë, po ashtu, se rezistenca e Hungarisë në disa fusha është më personale dhe ideologjike tani.

Disa i referohen raportimeve se Orbanit nuk i pëlqen aspak presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili e ka kritikuar atë në shumë raste, dhe besojnë se ai dëshiron t’i hakmerret atij duke ia prishur punët Kievit sa më shumë. Por, ka edhe një argument ideologjik, të cilin po e përmendin shumë njerëz. Orbani ndien se qëndrimet për mbështetjen e Ukrainës po ndryshojnë në BE dhe përgjatë Atlantikut.

Ukraina

Derisa Hungaria është shteti i vetëm i BE-së që haptazi e vë në pikëpyetje nëse blloku është i gatshëm ta pranojë Ukrainën në të ardhmen, ka vende të tjera brenda unionit, nga lindja dhe perëndimi, që po ngurrojnë ta pranojnë Kievin shumë shpejt, sepse druhen nga ndonjë reagim i Rusisë, dhe ç’është më e rëndësishme, nga sfidat e mëdha që sjell reformimi i bllokut dhe shuma e lartë e parave që do të duhej të merrej nga buxheti i BE-së për ta rehatuar një anëtar të ri kaq të madh, por relativisht të varfër.

Si do të merret vendimi për zgjerim?

Sipas përfundimeve të nxjerra nga drafti i zgjerimit të BE-së, që i ka parë Radio Evropa e Lirë, rekomandimet e Komisionit Evropian për Bosnjë e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, vlejnë. Por, asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë ende. Për Gjeorgjinë, kjo nënkupton se asaj do t’i jepet statusi i vendit kandidat. Në draft thuhet se “Këshilli rekomandon që Këshilli Evropian të vendosë [për hapjen e bisedimeve për pranim për Moldavinë dhe Ukrainën]”. Për Bosnjën është pak më ndryshe, sepse drafti nënvizon se Këshilli rekomandon që Këshilli Evropian duhet të vendosë [t’i hapë bisedimet për pranim me Bosnjën dhe Hercegovinën sapo të jenë plotësuar kushtet]”.

Për pranim në BE nevojitet vendim unanim dhe duket se të gjithë janë të pajtimit për t’ia dhënë Tbilisit statusin e vendit kandidat dhe Moldavia të jetë një hap përpara duke i hapur bisedimet për anëtarësim. Por, ato mund të jenë viktima të asaj që burime brenda BE-së e quajnë “dëm i përbashkët”. Dhe, kjo na kthen te Ukraina. Shumica duan që Ukraina t’i nisë bisedimet për anëtarësim. Përveç Hungarisë. Por, të tjerët, si treshja baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania kundërshtojnë, duke thënë se nëse Ukraina dështon, dështojnë të gjithë.

Në një letër dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilën e ka parë REL-i, Orbani i thotë atij se “propozimi i fundit i Komisionit për procesin e pranimit të Ukrainës shënon fundin e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian si një instrument objektiv dhe bazuar në merita. Ju bëj thirrje të mos e ftoni Këshillin Evropian për të vendosur në këto çështje në dhjetor, sepse mungesa e qartë e konsensusit, nënkupton dështim të pashmangshëm.”

Ku qëndron Bosnja në këtë mes?

Për dallim nga Hungaria, Kroacia, Sllovenia dhe posaçërisht Austria, i kanë dhënë shtytje hapjes së bisedimeve me Sarajevën. Argumenti kryesor i tyre është, siç e quajnë ato, “një qasje e barabartë” – e cila nënkupton se, nëse u jep dritën e gjelbër vendeve lindore, duhet ta bësh të njëjtën edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor që duan anëtarësimin në BE.

Duke qenë se vendet e tjera të Ballkanit nuk kanë bërë përparime të dukshme për arsye të ndryshme, Bosnja është e vetmja që mund të përfitojë diçka. Dhe, Brukseli nuk dëshiron assesi të shihet përsëri si neglizhues i këtyre vendeve.

Siç u cek edhe më lartë, përfundimet e nxjerra nga drafti dallojnë për Bosnjën dhe Ukrainën e Moldavinë. Kjo pasqyron faktin se Bosnja, në fakt, ka bërë përparim të kufizuar, duke i plotësuar vetëm dy nga 14 kushtet që ia ka caktuar Brukseli. Kievi dhe Kishinau kanë bërë përparim shumë më të madh, dhe mbështetësit e tyre duan që ky dallim të pasqyrohet. Pyetja këtu është nëse kjo është e pranueshme për Austrinë, dhe sidomos Hungarinë. Ato duan një lidhje më të qartë mes Bosnjës në njërën anë dhe Ukrainës (dhe Moldavisë) në anën tjetër.

Për ta koklavitur edhe më shumë këtë, Holanda e ka ngritur zërin në ditët e fundit në Bruksel se Bosnja nuk e meriton t’i nisë bisedimet për anëtarësim dhe ka shprehur gatishmëri për të përdorur veto për këtë.

Çfarë tjetër pritet të ndodhë?

Pakoja e 12-të e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë ka shumë gjasa ta marrë dritën jeshile në ditët në vijim, kryesisht sepse është goxha e dobët dhe nuk e prek energjinë ruse. Hungaria e ka bllokuar tërë pakon, por në Bruksel ka pritje që bllokada do të hiqet. Megjithatë, pritet që ky rund i sanksioneve të jetë i fundit për një kohë të gjatë.

Diçka që nuk do të funksionojë, megjithatë, është financimi i përbashkët i BE-së për ta armatosur Ukrainën. Deri tani, kjo është bërë përmes instrumentit evropian të paqes (EPF) dhe fundit jashtë buxhetit të BE-së, të cilat i ka përdorur blloku për t’i dërguar Kievit pajisje ushtarake në vlerë 4.6 miliardë euro.

Por, pakoja e tetë, në vlerë 500 milionë euro, është bllokuar nga Budapesti prej verës. Hungaria tha së pari se Ukraina duhet ta largojë bankën hungareze, OTP, nga lista e zezë e Agjencisë Kombëtare të Ukrainës për Parandalimin e Korrupsionit, e cila e quajti atë “financues të luftës” për shkak se vazhdon të bëjë biznes me Rusinë.

Ukraina e bëri këtë, por Budapesti dëshiron tani që Kievi të garantojë se OTP-ja nuk do të futet kurrë më në këtë listë. Kjo mosmarrëveshje nuk pritet të zgjidhet së shpejti.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG