Ndërlidhjet

Pavarësisht mospajtimeve me Orbanin, KE-ja miraton fondet për Hungarinë


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Evropian ka miratuar fondet për Hungarinë në vlerë prej 900 milionë eurosh, pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit hungarez për të bllokuar ndihmën që BE-ja dëshiron t’i japë Ukrainës.

Këto para vijnë nga programi REPowerEU i BE-së, që synon të ndihmojë 27 shtetet e BE-së që të rimëkëmben nga kriza e energjisë, që u shkaktua nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar. Ky program po ashtu synon të ulë varësinë nga karburantet fosile ruse.

Vendimi për zhbllokimin e fondeve vjen përderisa kryeministri hungarez, Viktor Orban – një kritik i BE-së që shpesh grindet me liderët e BE-së lidhur me nivelin e sundimit të ligjit në shtetin e tij – ka kërcënuar se do të pengojë ambiciet e Ukrainës që të anëtarësohet në bllok dhe planet e BE-së për t’i dhënë ndihmë Kievit në vlerë prej 50 miliardë eurosh.

Liderët e BE-së do të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm për të diskutuar për nisjen formale të bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës.

Shtetet e BE-së kanë katër javë kohë për të mbështetur vendimin e Komisionit Evropian dhe për të miratuar dhënien e fondeve për Hungarinë.

Vlera totale e planit për rimëkëmbjen pas pandemisë së Hungarisë, që përfshin edhe programin REPowerEU, arrin në 10.4 miliardë euro në hua dhe grante. Komisioni ka insistuar që Hungaria duhet të arrijë reforma në sundim të ligjit, në mënyrë që fondet të zhbllokohen.

Hungaria, që pranon fonde të shumta nga BE-ja, është përballur me kritika të shumta për shkak të nivelit të demokracisë. KE-ja për pothuajse një dekadë ka akuzuar Orbanin se ka shkatërruar institucionet demokratike, ka marr nën kontroll mediat dhe ka kufizuar liritë e minoriteteve. Orban, që gjendet në pushtet që nga viti 2010, mohon akuzat.

Orban ka kritikuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës, pasi i ka cilësuar si joproduktive dhe muajin e kaluar është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Kjo ishte hera e parë që Putin u takua me një lider të një shteti të BE-së që nga nisja e luftës.

Dhjetorin e kaluar, BE-ja ngriu miliarda euro në fonde për Hungarinë për shkak të dështimit të reformave në sundimin e ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG