Ndërlidhjet

Liderët në tubime të diskutueshme me diasporën


Profili i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Profili i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Vetëm në dy javët e para të nëntorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka takuar diasporën kosovare në së paku katër shtete të Evropës: Zvicër, Austri, Norvegji dhe Gjermani.

Në postimet e bëra në Facebook, ai shkruan se takimet me bashkatdhetarë i ka të shpeshta dhe i falënderon ata për mikpritjen.

“Me afër 300 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, ne jemi shumë krenarë për lidhjet e forta, të cilat i kemi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës”, shkruan në njërin prej postimeve më 2 nëntor.

Në më pak se tre muaj, Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Përfaqësues të disa partive opozitare dhe njohës të zhvillimeve politike thonë se udhëheqësit e Qeverisë janë duke i shfrytëzuar ambasadat dhe burimet e shtetit të Kosovës për fushatë elektorale.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se disa prej takimeve të tilla, në të cilat ka marrë pjesë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, janë organizuar nga ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendet përkatëse, e disa nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.

Për të parat, thotë se “njoftimi për organizimin e tyre ka qenë publik dhe ftesa ka qenë e hapur për të gjithë”.

“Në Frankurt ishin të pranishëm deputeti i Bundestagut gjerman, Boris Mijatoviq, dhe anëtari i Parlamentit të shtetit të Hesenit, Stephan Gruger, të cilët kishin edhe fjalë përshëndetëse; në Oslo ishte ish-ambasadori i Norvegjisë në Kosovë; në Vjenë ishin të pranishëm ish-ambasadori i Austrisë në Kosovë dhe anëtarë të Grupit të Miqësisë Kosovë-Austri”, thotë Kryeziu.

Gjatë muajve shtator e tetor, Kurti ka takuar mërgatën edhe në Shtetet e Bashkuara, në Francë dhe në së paku katër qytete të Gjermanisë.

“Organizimet që realizohen nga strukturat partiake, siç ka qenë rasti në Gjermani, muajin e kaluar, nuk kanë të bëjnë fare me organizimet e ambasadave dhe konsullatave. Në ato raste, për takime të tilla nuk shfrytëzohen objektet e institucioneve tona diplomatike, e as burimet financiare të tyre”, thotë Kryeziu.

Sipas tij, në secilin takim me mërgatën, Kurti ka bërë thirrje për regjistrimin online të saj, në kuadër të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, si dhe për regjistrimin për votim nga jashtë në zgjedhjet që po afrohen - “pa asnjë paragjykim për preferencat e tyre”.

Afati i diasporës kosovare për regjistrim skadon më 31 dhjetor, ndërsa për votim nga jashtë për zgjedhjet e 9 shkurtit mbyllet më 26 dhjetor.

Akuzat nga opozita

Në tubime me pjesëtarët e mërgatës kosovare në Gjemani dhe Itali, gjatë muajit nëntor, ishte edhe Bedri Hamza, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër.

“Ne do ta forcojmë dhe institucionalizojmë lidhjen e shtetit me diasporën. Kuvendi do të ketë deputetë që vijnë nga diaspora jonë”, shkroi Hamza në Facebook, pas, siç tha, “tubimit madhështor” në Shtutgart të Gjermanisë.

Nga partia e tij nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se kush i financoi tubimet e tyre.

Nga një tubim i zyrtarëve të PDK-së në Gjermani.
Nga një tubim i zyrtarëve të PDK-së në Gjermani.

Në një postim në Facebook më 9 nëntor, sekretarja e përgjithshme e kësaj partie, Vlora Çitaku, tha se Qeveria po i përdor ambasadat dhe burimet e shtetit për fushatë elektorale.

“Ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme po keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer fushatë partiake në diasporë”, tha Çitaku.

Sipas saj, Qeveria “po tenton të kamuflojë agjendën partiake si punë zyrtare qeveritare”.

Ajo nuk i përmendi tubimet e partisë së saj në diasporë.

Tubim me mërgatën në Zvicër mbajti edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në fund të shtatorit.

Por, sipas Muharrem Nitajt, i cili drejton shtabin zgjedhor të AAK-së, ai është mbuluar financiarisht nga fondi i partisë dhe partia nuk ka kërkuar ndihmë nga ambasada.

Nitaj, po ashtu, thotë se Kurti dhe Gërvalla, përmes ambasadave të Kosovës, organizojnë tubime me pjesëtarët e mërgatës dhe bëjnë fushatë parazgjedhore.

“Nuk ka problem që kryeministri të zhvillojë fushatë, por së paku atë do të duhej ta zhvillonte nën petkun e partisë së vet politike dhe jo t’i shfrytëzojë përfaqësitë diplomatike që i ka Kosova nëpër vende të ndryshme të BE-së ose në SHBA”, thotë Nitaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, çështjet për të cilat Kurti e Gërvalla thonë se u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të mërgatës, nuk janë kompetencë e tyre, por e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përkatësisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës, deri më tash, nuk ka të publikuar ndonjë takim me pjesëtarët e diasporës.

Zyrtarët e saj nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar takimet e organizuara të liderëve me diasporën.

A mund të organizojnë e financojë tubime ambasadat?

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu, duke u bazuar në përvojën e tij disavjeçare si diplomat, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se roli primar i ambasadave është përfaqësimi diplomatik i Kosovës në vendet përkatëse ku janë ato.

Sipas tij, në kuadër të vizitave diplomatike të krerëve të institucioneve shtetërore në vendet nikoqire, “mund të organizohen edhe takime me bashkatdhetarët, për shkak të informimit të nevojshëm të tyre”, lidhur me çështje të caktuara.

“Jashtë vizitave diplomatike, natyrisht që çdo institucion i qeverisë apo çdo individ i partisë politike ka të drejtë të organizojë tubime, por ato janë tubime jashtë procesit diplomatik”, thotë Xhakaliu.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Ai shton se ndihma që ofron shërbimi diplomatik, duhet të jetë vetëm mbi bazën e përfaqësimit diplomatik, ku nuk hyjnë organizimet e tubimeve.

Tubimet e tilla, sipas tij, mund të organizohen nga individë, shoqata apo organizata të ndryshme, të cilat kanë të drejtë të ftojnë përfaqësues institucionesh, liderë të partive etj.

“Për çdo organizim që bëhet jashtë përfaqësimit diplomatik, ambasadat dhe shërbimet konsullore nuk kanë obligime financiare”, thotë Xhakaliu.

“Fjalime elektorale” në tubimet me mërgimtarët

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvalla me pjesëtarët e diasporës së Kosovës në vende të ndryshme evropiane, janë tubime parazgjedhore.

Sipas tij, fjalimet e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës në këto tubime kanë përmbajtje politike dhe elektorale.

“Fjalimet që i ka publikuar zëvendëskryeministrja dhe kryeministri, thjesht, janë elektorale. Po ashtu, ka pasur raste ku takimi është mbajtur nga kryeministri, lajmërimi ka dalë nga Zyra e Kryeministrit, por njëkohësisht edhe nga ana e partisë [Lëvizjes Vetëvendosje]. Krejt këto janë të lidhura me njëra-tjetrën”, thekson Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se, në këtë kontekst, zyrtarët e Qeverisë janë duke i keqpërdorur resurset publike për interesa partiake.

“Po keqpërdoren resurset publike, sidomos ambasadat, sepse krejt këto takime po ftohen, po organizohen nga ana e ambasadave të Kosovës me diasporë dhe, pastaj, kryeministri dhe zëvendëskryeministrja po shkojnë dhe po bëjnë fushatë në këto takime”, thotë Demhasaj.

Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

Ndonëse partitë politike në Kosovë kanë nisur takime dhe tubime edhe me qytetarë brenda Kosovës, me rregulloren e KQZ-së, periudha e fushatës së zgjedhjeve fillon 30 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Në rastin konkret, sipas KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, fillon zyrtarisht më 11 janar, 2025.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG