Ndërlidhjet

Zgjatet afati për regjistrimin e diasporës


Një fletushkë e vendosur në derën e një shtëpie në Prishtinë, që njofton qytetarët për procesin e regjistrimit të popullsisë.
Një fletushkë e vendosur në derën e një shtëpie në Prishtinë, që njofton qytetarët për procesin e regjistrimit të popullsisë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mërkurën për zgjatjen e afatit të procesit të regjistrimit të diasporës deri në fund të këtij viti.

Kjo është hera e dytë që zgjatet procesi i regjistrimit të diasporës, i cili bëhet online përmes portalit eDiaspora, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në maj, procesi ishte zgjatur deri më 31 gusht, por ai tani do të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2024.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se intensiteti i regjistrimit të diasporës është rritur ditëve të fundit dhe për këtë ajo kërkoi në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën që anëtarët e kabinetit të votojnë për zgjatjen e procesit deri më 31 dhjetor.

“Të dhënat që duhet të dalin nga regjistrimi i mërgatës do të na shërbejnë edhe institucioneve të vendit, por edhe vetë mërgatës për një organizim më të mirë të nevojave dhe potencialit. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit kemi pasur një dinamikë me rreth 3.000 regjistrime në ditë, që do të thotë se do të përpiqemi që këtë dinamikë mos ta ndalim përmes përfundimit të afatit”, tha ajo.

Në korrik, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tha se deri në atë kohë ishin regjistruar rreth 600.000 pjesëtarë të diasporës.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Sipas të dhënave paraprake të ASK-së për regjistrimin e popullsisë Kosova i ka 1.586.659 banorë rezidentë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG