Ndërlidhjet

Mediat ruse të lidhura me Kremlinin e minimizojnë inkursionin ukrainas në Kursk


Kamionët e ushtrisë ruse dëmtohen nga granatimet ukrainase në rajonin e Kurskit, Rusi, 9 gusht 2024.
Kamionët e ushtrisë ruse dëmtohen nga granatimet ukrainase në rajonin e Kurskit, Rusi, 9 gusht 2024.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka përshkruar inkursionin befasues të Ukrainës në rajonin e Kurskit, si një “provokim” dhe “tentim për t’i destabilizuar” rajonet kufitare, si dhe vepër terroriste. Por, ai e ka shmangur përdorimin e një përshkrimi që bie në sy më shumë: pushtimi i parë i Rusisë nga trupa të huaja prej Luftës së Dytë Botërore.

Dhe, ai e ka cilësuar këtë si diçka të cilën Rusia do ta zgjidhë në mënyrë efektive, edhe pse ka një javë që nuk e ka gjetur mënyrën se si ta bëjë këtë.

Portalet e kontrolluara, udhëhequra dhe ndikuara nga shteti, të cilat mbizotërojnë mediat ruse, e kanë ndjekur gjerësisht qëndrimin e Putinit, shpesh duke u përpjekur t’ia zbehin rëndësinë inkursionit ukrainas dhe duke u munduar t’i sigurojnë lexuesit vendorë që inkursioni nuk është punë e madhe.

Në vend se ta cilësojnë si një goditje për synimet e luftës së Rusisë dhe si një turpërim për Kremlinin, ato e kanë përshkruar atë si gabim të keq në dëm të Ukrainës.

“Zona kufitare në territorin e rajonit të Kurskit është e mbushur me kufoma të luftëtarëve ukrainas dhe është shndërruar në një varrezë të pajisjeve të djegura të armikut”, shkruhet në një artikull të 12 gushtit në tabloidin e njohur Argumenty i fakty, sipas të cilit, një “numër i madh” i ushtarëve ukrainas janë vrarë “vetëm në disa orët e fundit”.

Portali pretendoi se Ukraina i ka humbur “gati 2.000” ushtarë gjatë operacionit, por ky është një numër më i madh se numri i forcave të Kievit në këtë zonë, sipas disa vlerësimeve. “Dhe, kjo vetëm sipas numrit të vrasjeve të dokumentuara zyrtarisht. Kush e di sa shumë të tjerë janë në pyje, lugina dhe përroska pranë rrugës?”

Shkrimit të Argumenty fakty për inkursionin befasues të Ukrainës më 6 gusht në rajonin Kursk të Rusisë i bënë jehonë edhe mediat e tjera të kontrolluara nga Kremlini, apo në pronësi të shtetit në Rusi, ku raportimi i pavarur është shtypur edhe më shumë se në të kaluarën prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Përgjigje e duhur”

Mediat janë përqendruar në dështimet e pretenduara të ushtrisë ukrainase, duke pretenduar se Kievi ka investuar shumë resurse për rezultate minimale. Disa kanë sugjeruar se inkursioni do t’i kthehet bumerang Ukrainës, duke e shtyrë Rusinë t’i rrisë synimet e saj për luftën.

Kremlini dhe media, të cilat i marrin udhëzimet nga Kremlini dukeshin të pasigurt se çfarë të thoshin në fillim të inkursionit, por së voni duket se janë pajtuar për një mesazh që do të përçonte qetësi dhe vetëbesim.

“Armiku do ta marrë një përgjigje të duhur sigurt. Të gjitha synimet që i kemi shpalosur do të arrihen pa asnjë dyshim”, tha Putini më 12 gusht, duke shtuar se “provokimi” nuk ka ndikuar në operacionet e ushtrisë ruse brenda Ukrainës.

“Është e pamundur të na destabilizoni, apo të mbillni panik”, tha prezantuesja e njohur dhe antiukrainase, Olga Skabeyeva në Rossia-1, i cili është ndër televizionet kryesore shtetërore.

“Përkundrazi, ata i kanë tërbuar rusët, dhe të gjithë tani janë të gatshëm për ta kapur armën në dorë dhe ta bëjnë të qartë se nuk mund ta trajtosh Rusinë në këtë mënyrë”, shtoi ajo.

Njëkohësisht, disa raportime shprehin shqetësime. Duke e përshkruar gjendjen në rajonin e Kurskit, Skabeyeva e përdori fjalën që mund të nënkuptojë e “ndërlikuar” apo e “vështirë”.

Disa raportime tregojnë për një kërkim për kurban, duke sugjeruar shpesh se fajin e kanë forcat çeçene në rajon dhe se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjenerali Valery Gerasimov, të cilin shumica e akuzojnë se e ka menaxhuar shumë keq luftën kundër Ukrainës.

E përditshmja Nezavisimaya raportoi më 12 gusht se forcat e Gardës Kombëtare kanë zmbrapsur “kundërsulmet ukrainase” në rajonin e Kurskit. Ajo gjeti edhe diçka që i pëlqeu në mbulimin e huaj mediak të inkursionit, duke e cituar Asssociated Pressin që shkroi se do të ishte e vështirë për forcat ukrainase të kapnin terren brenda Rusisë, sepse “furnizimi i fronteve të tyre do të ishte i pambrojtur ndaj zjarrit të forcave ruse”.

Gazeta e njohur Moskovsky komsomolets (MK), e kontrolluar nga zyra e kryetarit të Moskës, pretendoi se operacioni i Ukrainës është aq kaotik saqë është e vështirë të thuhet se çfarë po tentojnë të arrijnë forcat e Kievit.

“Shumë prej veprimeve të tyre duken të pakuptimta, sikur as vetë ukrainasit nuk i kuptojnë synimet e tyre”, shkroi kjo gazetë.

Mesazhi i MK-së ishte i përzier: “Në përgjithësi, gjendja mbetet shumë e vështirë, por nën kontroll”.

Një shkrim në gazetën Vzglyad, më 12 gusht, u përqendrua jo në fushëbetejë, por në “hapësirën për informata”, duke pretenduar pa asnjë dëshmi se agjencitë ukrainase të sigurisë kanë lëshuar “raportime të shumta të rrejshme” në mënyrë që të “mbjellin panik në mesin e popullit në rajon”.

Fajësimi i Perëndimit

Në një raport më 8 gusht, duke cituar burime anonime të industrisë, Meduza, një portal i pavarur me bazë jashtë Rusisë tani, tha se Kremlini i ka “udhëzuar” mediat shtetërore dhe ato pro Kremlinit, të mos e përshkruajnë inkursionin si “front i ri” në luftë, e as të mos përmendin se luftimet po ndodhin në afërsi të centralit bërthamor në qytetin Kurçatov të rajonit të Kurskit.

Në vend se të përqendrohen në luftime, mediat u urdhëruan të bëjnë shkrime për rrëfime me interes human si, “nxitje për dhurimin e gjakut dhe fushata për të ofruar shterim” për njerëzit e zhvendosur, raportoi Meduza.

Për shembull, tabloidi më i shitur në vend, Komsomolskaya pravda, e publikoi një rrëfim dramatik për manastirin e Kurskit, i cili supozohet se u përball me sulme ukrainase në fazën fillestare të operacionit. Shkrimi kishte titullin: “Tanket shkrepnin zjarr, por ato nuk e ndërprenë liturgjinë”.

Moska thotë se Ukraina ka nën kontroll dhjetëra vendbanime ruse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Siç ka ndodhur zakonisht gjatë pushtimit rus të Ukrainës, edhe këtu u fajësua Perëndimi. Kishte raportime që theksonin apo sugjeronin se vendet e Perëndimit po e shtyjnë apo po e ndihmojnë Ukrainën në kryerjen e inkursionit në Kursk.

Komandanti Aleksandr Kazakov tha për televizionin shtetëror Kanali 1 se “ky është rrëfim i Londrës”.

“Londra është armiku ynë më i madh. Ata duan që luftimet të vazhdojnë deri në vrasjen e ukrainasit të fundit”, tha ai.

Pa dhënë dëshmi, Skabeyeva pretendoi se Ukraina është duke vepruar në territorin rus “me pëlqimin dhe koordinimin e plotë të Qeverisë amerikane dhe presidentit amerikan”.

Ndërkohë, në një shkrim më 9 gusht, të cilësuar si “ekskluziv” për “planet e Kremlinit për betejë”, Moskovsky komsomolets ishte i vendosur për t’i siguruar lexuesit se, edhe nëse ata nuk shohin ndonjë përgjigje të fuqishme të Rusisë ndaj inkursionit, Putini e di se çfarë po bën dhe do të përgjigjet ashpër kur të vijë koha e duhur.

“Putini nuk pranon të luajë sipas rregullave të vendosura nga ‘partnerët’ e tij në Ukrainë”, shkroi autori i MK-së, Mikhail Rostovsky.

“Ndaj Putinit po bëhet trysni për të ndërmarrë veprime dhe deklarata të menjëhershme dhe dramatike. Veprimet do të ndërmerren, por ato do të vijnë në kohën e duhur, e cila është e përshtatshme dhe në dobi të Rusisë dhe të presidentit, dhe jo në kohën që i përshtatet armikut”, shkroi ai.

“Zmbrapsja e ushtrisë ukrainase nga rajoni i Kurskit do të jetë vetëm pjesë e përgjigjes së tij të duhur”, përfundoi shkrimi.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG