Kryekomandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha të martën vonë se forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll 74 vendbanime në rajonin Kursk të Rusisë.
Gjenerali Syrskiy e informoi presidentin Volodymyr Zelensky përmes një videolidhjeje, duke i treguar atij se ushtria e Kievit ka shënuar përparim në drejtime të ndryshme deri në 3 kilometra në 24 orët e fundit, si dhe ka zënë territor të ri prej 40 kilometra katrorësh.
Zelensky tha në Telegram se është në kontakt të vazhdueshëm me Syrskiyn, për të pranuar raportet nga fronti dhe nga rajoni i Kurskit. Me gjithë vështirësitë dhe betejat intensive, përparimi po vazhdon, tha ai.
“Unë u jam mirënjohës ushtarëve tanë për shërbimin e tyre heroik”, tha ai.
Më vonë, Zelensky tha në një videomesazh se qindra ushtarë rusë janë dorëzuar në duart e forcave ukrainase në rajonin e Kurskit dhe se të gjithë atyre u garantohet trajtim njerëzor.
Disa analistë të luftës kanë thënë se Ukraina mund ta ketë nisur inkursionin për t’i bërë forcat e Kremlinit të largohen nga vija e frontit dhe të kthehen për ta mbrojtur Kurskin dhe zonat e tjera kufitare. Por, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e Kremlinit i kanë rritur sulmet në lindje të Ukrainës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm, në 24 orët e fundit trupat ruse i kryen 52 sulme në zonën e Pokrovskit, një qytezë në rajonin Donjeck të Ukrainës, i cili ndodhet afër vijës së frontit. Ky është përafërsisht dyfishi i sulmeve ditore në këtë pjesë para një jave.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha të martën se e ka njoftuar shefin e BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, për operacionin e Kievit në rajonin e Kurskit.
Forcat ukrainase e filluan një inkursion befasues në rajonin e Kurskit më 6 gusht dhe i kanë kapur rreth 1.000 kilometra katror territor dhe qendra të shumta banimi.
Nuk është e mundur të verifikohen pretendimet nga fushëbetejat, edhe pse është raportuar se forcat ukrainase janë futur edhe më thellë brenda Rusisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tykhy, tha të martën se “Ukraina nuk është e interesuar ta marrë territorin e rajonit të Kurskit”.
Ai tha se Rusia i ka kryer më shumë se 2.000 sulme nga rajoni i Kurskit në muajt e fundit, duke përdorur raketa kundërajrore, artileri, mortaja, dronë, 255 bomba dhe më shumë se 100 raketa.
“Qëllimi i këtij operacioni është mbrojtja e jetës së fëmijëve, mbrojtja e territorit të Ukrainës nga sulmet ruse. Këto veprime të Ukrainës janë plotësisht të ligjshme”, tha ai.
Guvernatori në detyrë i Kurskit, Aleksei Smirnov, raportoi para presidentit rus, Vladimir Putin, më 12 gusht, se 28 vendbanime “janë nën kontrollin e armikut”.