Kuvendi i Kosovës e mbajti një seancë solemne më 12 qershor për nder të 25-vjetorit të Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Seanca nisi me këndimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar, si dhe me një minutë heshtje për të gjithë të rënët në luftën e viteve 1998-’99.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur në seancën solemne, tha se hyrja e NATO-s në Kosovë ishte “triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”.
Osmani në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se NATO solli mesazhin se nuk e kishte harruar Kosovën.
“Ata nuk ishin vetëm ushtarë, ata ishin shpëtimtarë, ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishe harruar për popullin e Kosovës, dhe vendosmërinë për t'i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë”, tha ajo.
Osmani po ashtu tha se sot Kosova e meriton të jetë pjesë e aleancës së NATO-s.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “sot e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar së bashku me aleatët tanë, njësoj si më 12 qershor dhe njësoj si në ditët e para të çlirimit”.
Ai theksoi se dëshiron që në Kosovën “tonë demokratike, pikërisht pse kemi humbur dhe vuajtur kaq shumë" të gjithë qytetarët pa dallim etnie “të gëzojnë dhe të fitojnë; shumica shqiptare bashkë me pakicat serbe, boshnjake, turke, ashkalinjtë, romët, egjiptianët, por edhe me kroatët dhe malazezët”
“Sikur atëherë dhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë, kurse shteti jonë Kosova, bashkë me Shqipërinë, ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara, me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Turqinë, Francën Italinë dhe vendet e tjera perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinacioni ynë ushtarak”, shtoi Kurti.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me këtë rast, ndër të tjera, tha se shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar dhe social kulturor edhe sot, “në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike dhe mediatike në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë dhe parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës.
“Ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë. Ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifest krenarie kombëtare”.
Ai tha se Shqipëria do të vazhdoj të lobojë për Kosovën për njohje të reja dhe integrimin e saj ne
organizata ndërkombëtare.
Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, tha se Bashkimi Evropian është shtëpi e përbashkët e rajonit dhe NATO-ja një ombrellë e përbashkët e sigurisë dhe ekonomike.
“Pikërisht këtë po e theksoj këtu, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, duke shënuar 25 vjet nga çlirimi i Kosovës, para së gjithash falë UÇK-së, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të aleancës së NATO-s dhe SHBA-së”,
Edhe pse mendohej se koha më e vështirë kishte kaluar, shtoi ai, ka ende nevojë për veprim dhe prani të bashkësisë ndërkombëtare në rajon, jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje-Hercegovinë.
“Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të përballemi me shumë sfida, në fakt sfida të vjetra që janë ridizajnuar. Mund të them lirisht se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, ka ende kërcënime dhe rreziqe nga të ashtuquajturat projekte megashtetërore. Paqja dhe stabiliteti duhet të jenë vendet tona të shenjta që duhet të sigurojnë prosperitetin e të gjithëve ne. Përgjigja më e mirë për të gjitha sfidat dhe kërcënimet është perspektiva euroatlantike”, shtoi ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se shteti serb kishte "vetëm një synim: shfarosja e një populli të tërë" nga territori dhe përmes krimeve të cilat “morën përmasën e gjenocidit”.
“Për ne, Serbia mbeti e njëjtë, pavarësisht a u quajt dikur Mbretëri Jugosllave, a u quajt pastaj Jugosllavi Federative a Socialiste. Politikat e shtypjes, e dëbimit, e shpronësimeve, e diskriminimi dhe e nënçmimit, kanë qene tipari konstant i secilit prej këtyre regjimeve”, tha Konjufca.
I pranishëm në seancë është edhe shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker.
Walker luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Walker e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t'i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.
Në luftën e viteve 1998-'99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.
Njëzetepesë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.