Ndërlidhjet

Zgjedhjet e parakohshme: “Para vjeshtës” po, por si?


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një debati parlamentar. Qershor, 2023.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një debati parlamentar. Qershor, 2023.


I duan zgjedhjet e parakohshme, por nuk pajtohen se si të arrijnë deri te to.

Partitë opozitare në Kosovë mbeten të ndara - Partia Demokratike e Kosovës pajtohet që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat duan fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Opsionin e fundit, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, “nuk e konsideron”.

Në përpjekje për të arritur një konsensus, grupet parlamentare u mblodhën në fillim të kësaj jave, por pa sukses.

Mandati i Qeverisë aktuale skadon në fillim të vitit të ardhshëm.

Debatin për zgjedhje të parakohshme, opozita ka kohë që e ka nisur, duke e kritikuar Kurtin për keqqeverisje.

Por, ai është intensifikuar nga java e kaluar, kur Kurti ka takuar kryetarin e PDK-së - partisë më të madhe opozitare - Memli Krasniqi, dhe ka shprehur gatishmëri për të diskutuar datën e zgjedhjeve.

Kur?

Për PDK-në, ajo duhet të jetë sa më parë.

Duke e fajësuar Qeverinë e Kurtit për dështimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, por edhe për “rrethanat e pafavorshme” ekonomike dhe sociale në vend, nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, thotë se pret që gjatë kësaj jave, partitë parlamentare të arrijnë një pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

“Ne jemi të interesuar që sa më parë të shkohet në zgjedhje, do të thotë të mos pritet vjeshta”, thotë Ahmetaj për Radion Evropa e Lirë.

Fundin e qershorit ose fillimin e korrikut e sheh si kohë për zgjedhje edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, por këmbëngul që Kurti, së pari, të japë dorëheqje, e pastaj të shpërndahet Kuvendi.

Kjo këmbëngulje, sipas tij, bëhet për faktin se Qeveria aktuale duhet të marrë përgjegjësi për dështimet, përfshirë mosanëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Shpërndarja e Kuvendit është një lloj marrëveshjeje që i ka përafruar Vetëvendosjen dhe PDK-në politikisht”, sipas tij.

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk iu përgjigjën interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë temë, por në deklarata të mëhershme kanë thënë se kërkojnë, fillimisht, dorëheqjen e Kurtit, ose një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së tij.

Këtë qëndrim e ka përsëritur më 21 maj zyrtari i kësaj partie, Daut Haradinaj, në një intervistë për Televizionin T7 në Prishtinë.

“Në rast se thirret një seancë e jashtëzakonshme, ku kërkohet mocion për shpërbërjen e Qeverisë, ne jemi të gatshëm ta japim votën”, ka thënë ai.

“Opozita do ta gjejë mënyrën për të shkuar në zgjedhje”

Sociologu dhe njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, thotë se nuk është reale që partitë opozitare të presin që kryeministri Kurti të japë dorëheqje.

Sipas tij, ai nuk do ta bëjë këtë, për shkak se “nuk dëshiron të ngarkohet me përgjegjësi për gabimet gjatë qeverisjes”.

“Unë jam i sigurt se opozita do ta gjejë mënyrën që ta krijojë një mocion mosbesimi [ndaj Qeverisë], në mënyrë që të arrihet deri te shpërndarja e Kuvendit, me të cilën, në mënyrë indirekte, do të pajtohej edhe kryeministri Kurti”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai beson se zgjedhjet do të mbahen para vjeshtës, edhe pse thotë se “LDK-ja dhe AAK-ja hezitojnë, për shkak të drojës se mund të jenë të papërgatitura për këtë proces”.

“Gjasat më reale janë të shkohet tash në zgjedhje, pasi kryeministri Kurti dhe kjo qeveri nuk mund të kenë punë normale me këtë raport të forcave. Pra, do të bëhet e pamundshme, sepse hendeku mes tij dhe bashkësisë ndërkombëtare do të thellohet”, shprehet Muhaxhiri.

Qeveria e Kurtit ka qenë shënjestër e kritikave të komunitetit ndërkombëtar së voni, për shkak të disa hapave që janë cilësuar si të pakoordinuar me të, përfshirë këtu marrjen e vendimit për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në Kosovë e të tjera.

Ajo është nën trysninë e diplomatëve perëndimorë edhe për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mungesa e hapave në këtë drejtim e ka lënë Kosovën edhe jashtë agjendës së një takimi të Këshillit të Evropës javën e kaluar, ku do të vendosej për anëtarësimin e saj.

Ekspertët besojnë se opsioni më real për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është përmes shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpjeguar më herët për REL-in se për inicimin e kësaj procedure, kërkohet thirrja e një seance të jashtëzakonshme nga së paku 40 deputetë.

Sipas tij, arritja e së paku 80 votave të nevojshme për këtë mocion, “nuk do të ishte e vështirë”, nëse merren parasysh numrat që i ka Vetëvendosja, PDK-ja dhe komunitetet pakicë joserbe.

Të pyetur nga REL-i se si do të votonin nëse në rend dite do të dilte shpërndarja e Kuvendit, përfaqësues të pakicave kanë dhënë mendime ndryshe-ndryshe.

Kurti ka thënë më 15 maj se Qeveria e tij është “gjithmonë gati”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG