Ndërlidhjet

Kurti: Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje, ose e përfundoj mandatin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste dhënë për agjencinë AFP më 7 shkurt 2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste dhënë për agjencinë AFP më 7 shkurt 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partitë opozitare janë ato që duhet të bëhen gati për zgjedhje e jo Qeveria, duke paralajmëruar se në të kundërtën, ai do të përfundojë mandatin e tij katërvjeçar në krye të ekzekutivit kosovar.

“Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund”, tha Kurti shkurt për gazetarët, pasi mori pjesë në një ngjarje në Prishtinë.

Mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare që një kohë po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi argumentojnë se Kurti po keqqeverisë me vendin.

Për këtë kërkesë të opozitës, Kurti më 13 maj u takua me Memli Krasniqin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të ngujuara”, tha Kurti më 14 maj, duke iu referuar takimit me Krasniqin.

Pas takimit me Krasniqin, Kurti kishte deklaruar se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë refuzuar që të takohen me Kurtin.

Por, Kurti ka zhvilluar edhe një takim lidhur me çështjen e zgjedhjeve edhe me drejtuesit e dy partive më të vogla, që janë pjesë e Qeverisë aktuale: Donika Gërvallën dhe Faton Pecin nga partia Guxo, dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.

Pavarësisht se opozita është e unifikuar sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ajo ka dallime sa i përket mënyrës se si vendi do të shkonte në zgjedhje.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG