Rreth 45 kilometra në veri të Prishtinës, në fshatin Zhitkoc të komunës së Zveçanit, nuk jeton askush sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë më 2011.
Por, e vërteta është më ndryshe. Me flamuj të Serbisë para shtëpive, disa anëtarë të dhjetëra familjeve të këtij fshati shprehen të gatshëm të marrin pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.
Megjithatë, ata fillimisht shfaqen të çuditur kur pyeten për pjesëmarrje në këtë regjistrim, që do të zgjasë nga 5 prilli deri më 17 maj.
“Askush… askush nuk ka ardhur të na informojë. Tani po dëgjoj për herë të parë nga ju”, thotë Spaso Karajliq për Radion Evropa e Lirë.
Me gjithë mungesën e informimit, Karajliq dhe një nga fqinjët e tij shprehen të gatshëm të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.
“Unë do të regjistrohem. Jetoj këtu që 70 vjet dhe do të qëndroj këtu nëse mundem”, thotë njëri banor, duke kërkuar të mbetet anonim.
Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.
Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK.
Përveç komunitetit serb, në atë proces nuk ishte regjistruar as një pjesë e banorëve të Kosovës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Ndërsa, procesi aktual i regjistrimit të popullsisë ishte planifikuar të zhvillohej në vitin 2021, por ishte shtyrë shkaku i pandemisë. Pastaj, vitin e kaluar u shty edhe dy herë të tjera. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se procesi "nuk ishte menaxhuar mirë" nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë thotë se, edhe pse nuk asiston në përgatitjet për procesin e regjistrimit në Kosovë, u ka kërkuar institucioneve të Kosovës t’i kenë parasysh të drejtat e minoriteteve gjatë këtij procesi.
“Ne vërejmë që, vetëm disa javë para datës së fillimit, ka munguar ndonjë fushatë gjithëpërfshirëse informuese që synon ngritjen e vetëdijes në mesin e pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë”, thonë nga misioni i OSBE-së në Kosovë për REL-in.
Sipas tyre, kjo mungesë informimi mund të çojë në pjesëmarrje të ulët të pakicave në regjistrimin e popullsisë.
“Pjesëmarrja e ulët mund të sjellë pasoja të mëtejshme për komunitetet, duke përfshirë pasojat buxhetore dhe madje edhe vendosjen e gjobave për mospjesëmarrje”, thuhet tutje në përgjigjen e OSBE-së.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se ka mbajtur kontakt të vazhdueshëm me ASK-në, që e ka njoftuar se procesi po shkon mirë. Ata thonë se janë dhjetë organizata joqeveritare të angazhuara për t’i informuar komunitetet që i përfaqësojnë.
“Megjithatë, u ngritën disa shqetësime rreth përjashtimit ose përfaqësimit të kufizuar të disa komuniteteve joshumicë nga procesi në disa komuna, veçanërisht në komunitetet boshnjake, goranë të Kosovës dhe turqit e Kosovës. Disa përfaqësues të komunitetit serb të Kosovës gjithashtu shprehën shqetësimet e tyre për vonesat në kryerjen e trajnimeve përkatëse për administratorët në komunitetet joshumicë”, kanë thënë nga zyra e BE-së në Kosovë.
Trajnimet për regjistruesit janë kryer gjatë kësaj jave nëpër të gjitha komunat në Kosovë.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.
Por, as informacioni për gjobat nuk është i ditur për banorë si Vitomirka Petroviq, bashkëfshatare e Spasos.
Duke qëndruar e vetme në ballkonin e shtëpisë së saj, ajo fillimisht shprehet skeptike për këtë proces. Por, kur merr vesh për gjobat, ajo thotë se do të marrë pjesë në regjistrim.
“Oh, nuk mund t’i bëj ato para [për gjobë]. Do të regjistrohem, pse jo?! Unë jam serbe, dua të regjistrohem si serbe”, thotë ajo për REL-in.
Megjithatë, nga ASK-ja thonë për REL-in se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për nisjen e këtij procesi dhe për informimin e të gjitha pakicave.
“I kemi pasur disa takime të organizuara, punëtori, së bashku me minoritetet. I kemi pasur disa takime edhe me kuvendet komunale, si dhe kemi pasur takime edhe në shkolla edhe universitete, duke i përfshirë edhe komunitetet pakicë”, thotë Hazbije Qeriqi, zyrtare në ASK.
Ajo tregon se do të ketë regjistrues në të gjitha komunat në Kosovë, përfshirë edhe ato të banuara me shumicë serbe.
Por, Boban Simiq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale (CASA), thotë se Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk po zhvillon asnjë fushatë për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e regjistrimit të komuniteteve pakicë.
“Regjistrimi fillon tashmë javën e ardhshme dhe komunitetet joshumicë jo vetëm që nuk janë të informuara për atë proces, por as nuk janë të informuara se procesi do të kryhet”, thotë Simiq.
Sipas mendimit të tij, pjesëmarrja e komunitetit serb është veçanërisht e pasigurt për shkak të “mosbesimit ndaj institucioneve të Kosovës” shkaku i ngjarjeve të fundit, si vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ta ndaluar përdorimin e dinarit për pagesa. Ai shton se ndeshja e procesit të regjistrimit me votimin për shkarkimin e kryetarëve në komunat me shumicë serbe në veri mund të ndikojë gjithashtu në uljen e pjesëmarrjes.
Skeptik për procesin e regjistrimit të popullsisë shprehet edhe Sebastian Sherifoviq, nga organizata Opra Rome, me bazë në Graçanicë.
“Të jem i sinqertë, nuk jam i lumtur me sa kanë arritur ata [instucionet e Kosovës] ta kuptojnë kulturalisht komunitetin rom”, thotë Sherifoviq për REL-in.
Për shembull, ai thotë se numri i regjistruesve romë është shumë i vogël për numrin e vërtetë të romëve në Kosovë.
ASK-ja thotë se numri i regjistruesve është përzgjedhur në proporcion me numrin e asaj pakice në popullsi, por Sherifoviq argumenton se pakica rome është shumë më e madhe sesa që ishte deklaruar në regjistrimin e vitit 2011.
Ai thotë se, në vitin 2011, ky komunitet ndihej i kërcënuar të mos merrte pjesë në regjistrim dhe ishte përballur me shumë dezinformim lidhur me procesin.
ASK-ja shton se ka edhe një numër të regjistruesve rezervë për t’i mbushur hapësirat, por Sherifoviq thekson se as kjo nuk është zgjidhja e duhur.
“Romët flasin dialekte shumë të ndryshme të gjuhës rome dhe gjithkush ka të drejtë ta kryejë regjistrimin në gjuhën amtare. Nuk mund ta kryejë regjistrimin e një romi nga Graçanica një rom nga Prizreni”, thotë ai.
Megjithatë, ai shpreson që komuniteti rom në Kosovë të marrë pjesë në regjistrim për shkak të rëndësisë së regjistrimit të të gjitha pakicave.
“Unë me të vërtetë pres që komuniteti rom, pavarësisht fushatës së dobët nga instituticonet, do të marrin pjesë në regjistrim”, përfundon ai.
Sipas Ligjit për financat e pushtetit lokal, ndarja e granteve qeveritare për komunat bazohet në numrin e popullsisë së përgjithshme, numrin e popullsisë pakicë dhe madhësinë gjeografike.
Kjo bën që regjistrimi i pakicave të luajë rol të rëndësishëm në ndarjen e buxhetit për komunat. Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it për këtë temë.
Sipas regjistrimit të bërë më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë gati 1.8 milion.
Prej tyre, më shumë se 1.6 milion ishin deklaruar shqiptarë, rreth 25 mijë serbë, 19 mijë turq, 27 mijë boshnjakë, nëntë mijë romë, 15 mijë ashkali, 11 mijë egjiptianë dhe 10 mijë goranë.