Ndërlidhjet

Kosovës “i duhet ligj për valutën”


Flamuri i Bankës Qendrore të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Flamuri i Bankës Qendrore të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kosova nuk ka ligj të veçantë, me të cilin do të përcaktonte valutën e saj kombëtare, por ka një urdhëresë administrative, e cila e përcakton euron si valutë për pagesa.

Në Kushtetutën e vendit, Neni 11, thuhet se si mjet pagese, duhet përdorur “një valutë e vetme”, por nuk përcaktohet cila.

Duke u thirrur në këtë nen, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi edhe një rregullore më 1 shkurt, e cila e specifikon euron si valutë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

Rrjedhimisht, dinari serb që përdorej në komunat me shumicë serbe në vend, u ndalua.

Radio Evropa e Lirë pyeti BQK-në dhe Qeverinë e Kosovës se përse vendi nuk ka ligj për valutën dhe a po punohet në këtë drejtim, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion.

Ekspertët e çështjeve juridike dhe ekonomike thonë se, në mungesë të një ligji specifik për valutën, rregullorja e BQK-së është “gabim në hapa”.

Dokurdo, sipas tyre, Kosovës do t’i duhet ky ligj.

Si u fut euroja në Kosovë?

Pas përfundimit të luftës më 1999, kur në Kosovë u vendos administrata e Misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, autoritetet e saj, përmes një rregulloreje, e përcaktuan markën e atëhershme gjermane si valutë për pagesa në Kosovë.

Deri atëherë përdorej dinari jugosllav.

Rreth dy vjet më vonë, përkatësisht në dhjetor të vitit 2001, UNMIK-u, përmes një urdhërese administrative (2001/24), e përcaktoi euron si valutë që do të përdorej në Kosovë nga 1 janari i vitit 2002.

Në të njëjtën kohë, edhe 18 shtete që asokohe ishin anëtare të Bashkimit Evropian, e lëshuan në përdorim euron, duke i zëvendësuar njësitë e tyre valutore.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se urdhëresa administrative e UNMIK-ut është bazë ligjore për përdorimin e euros si mjet pagese në Kosovë.

Kur kjo është miratuar, thotë ai, ka pasur një “pajtim në heshtje” midis UNMIK-ut, partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe Bankës Qendrore Evropiane, dhe nuk është kaluar nëpër procesin e miratimit të kritereve.

“Çdo rregullore e UNMIK-ut mbetet në fuqi deri në rastin kur ajo nuk shfuqizohet me një ligj të veçantë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, pajtohet se mungesa e një ligji të veçantë për valutën e Kosovës, nuk e bën të paligjshëm përdorimin e euros, meqë për të ekziston urdhëresa e UNMIK-ut.

Por, ai thotë se mungesa e tij shkakton telashe teknike për Bankën Qendrore të Kosovës kur ajo nxjerr akte nënligjore - si rregullorja e fundit që e përcakton euron si valutë të vetme për pagesa - pa pasur ligj.

“Së pari duhet të aprovohet ligji për valutën e Republikës së Kosovës. Atë ligj duhet ta sponsorizojë Banka Qendrore [e Kosovës], ta aprovojë Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, pastaj, pas një periudhe transitore - disa muaj, një apo më shumë vite - të zbatohet ligji dhe jo akti nënligjor, që është [në këtë rast] rregullorja e BQK-së”, thotë Bektashi, njëherësh ish-anëtar i Bordit të BQK-së, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Miftarajt, rregullorja që e ndalon dinarin, ka qenë e panevojshme, “marrë parasysh bazën juridike që del nga urdhëresa e UNIMK-ut për përdorimin e euros si valutë të vetme për pagesë”.

Kjo urdhëresë, thotë ai, ka mundur të zbatohet edhe pa rregulloren e BQK-së, të cilën ai e interpreton si veprim me prapavijë politike.

“Nëse kanë dashur ta zbatojnë, është dashur që këtë ta bëjnë institucionet për zbatimin e ligjit, edhe pa vendimin e BQK-së. Por, t’iu thuash [zyrtarëve të Qeverisë] që zbatojnë një rregullore të UNMIK-ut, u dhemb koka, kështu që kanë dalë me këtë [rregulloren] e BQK-së”, thotë Miftaraj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se BQK-ja është institucion i pavarur dhe si i tillë merr vendime.

Megjithatë, në disa raste ka theksuar se rregullorja në fjalë nuk mund të anulohet.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që të shtyhet zbatimi i saj, derisa komuniteti serb në Kosovë, i cili me vite ka pranuar pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia, të përshtatet me praktikën e re.

Por, sipas Kurtit, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë - ato vetëm duhet të bëhen në euro.

Sipas BQK-së, arsyeja kryesore për këtë rregullore ka qenë integriteti financiar.

Së pari valuta, pastaj BE-ja

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për t’iu bashkuar këtij blloku, ajo, dokurdo, duhet ta ketë valutën e saj të përcaktuar me ligj, thotë Bektashi.

Pastaj, shpjegon ai, vendi i plotëson kriteret e kërkuara për përafrimin e legjislacionit kombëtar me ligjin përkatës të BE-së.

Kriteret përfshijnë: stabilitet në çmime, financa të shëndosha publike, stabilitet të kursit të këmbimit e të tjera.

Pikërisht këto kritere “janë kaluar në heshtje”, sipas bashkëbiseduesve të REL-it, kur në Kosovë është futur euroja.

“Ne mund të nxjerrim edhe ligj me euron si valutë kombëtare, por do të kemi pasoja, do të kemi reagime nga Banka Qendrore Evropiane, pasi që një valutë e huaj nuk mund të shpallet valutë e jotja në mënyrë të njëanshme”, thotë Bektashi.

Ai kujton se rast i përafërt me Kosovën është Mali i Zi, i cili nuk është anëtar i BE-së, por përdor euron nga viti 2002.

Mali i Zi, megjithatë, është në negociata për anëtarësim në BE.

Deri më tash nuk i ka të plotësuara të gjitha kushtet për përdorimin e euros.

Rregullat evropiane, mbi të gjitha, përcaktojnë që një vend duhet të jetë anëtar i BE-së në mënyrë që ta përdorë euron si monedhë të veten zyrtare.

Mali i Zi shpreson se Brukseli do të gjejë një zgjidhje që nuk nënkupton ndërprerjen e përdorimit të euros në këtë vend.

Çështja, sidoqoftë, është pjesë e Kapitullit 17 të negociatave, që ka të bëjë me bashkimin ekonomik dhe monetar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG