“Po ia dal”... “Po pres të gjendet një zgjidhje”... “Tërheq euro me komision”... “Paratë i tërheq në Serbi”...
Kështu thonë disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, të cilët marrin të ardhura në dinarë nga buxheti i Serbisë - nisur nga rrogat e pensionet e deri te shtesat për fëmijë.
Ata që jetojnë në komunat në jug të Lumit Ibër, nuk kanë mundur t’i tërheqin të ardhurat e tyre që nga mesi i shkurtit, për shkak se zyrat postare që funksionojnë nën sistemin serb, nuk kanë dinarë.
Në komunat në veri, ndërkaq, dinarët mund të tërhiqen ende në sportelet e Kursimores së Postës, e cila, aktualisht, është e vetmja që operon me këtë valutë në Kosovë.
Megjithatë, edhe aty mund të tërhiqet vetëm një shumë e kufizuar, nga 5 mijë deri në 10 mijë dinarë, që do të thotë 40 deri në 90 euro.
Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, shuma më të mëdha mund të tërhiqen vetëm në euro.
Situata pasoi një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila hyri në fuqi më 1 shkurt. Ajo e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Në bazë të saj, Dogana e Kosovës, dy herë gjatë muajit të kaluar, ndaloi hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.
Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë diskutuan për këtë rregullore të martën në Bruksel, por pa ndonjë rezultat konkret. Ndërmjetësuesi evropian i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, tha se do të duhen takime shtesë.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha, po ashtu, se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i vazhdojnë urgjentisht bisedimet për këtë çështje.
Zgjidhjet e përkohshme që bëjnë qytetarët
Millena nga Graçanica - komunë me shumicë serbe afër Prishtinës - tërhoqi para për disa bashkëqytetarë të saj, fundjavën e kaluar, në Serbi.
“Të afërmit dhe disa miq më kërkuan që t’ua tërheq paratë në një bankomat në Serbi, sepse kishin dëgjuar se po shkoja. Këtu në Graçanicë nuk ka dinarë dhe nuk kanë mundësi t’i tërheqin të ardhurat e tyre. Njerëzit ia dalin në mënyra të ndryshme”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Në mënyrë të ngjashme, paratë i siguron edhe Stankoja nga Mitrovica e Veriut - një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Ose pres në radhë [për të tërhequr para në Kursimoren e Postës], ose e shfrytëzoj [mundësinë] kur dikush shkon në Serbi për të shkuar dhe për t’i tërhequr atje”, thotë ai.
Sipas tij, në sportelet e Kursimores së Postës, një pjesë e të ardhurave mund të tërhiqet në dinarë dhe pjesa tjetër në euro.
Tani për tani, Lubisha nga Mitrovica e Veriut dhe Marija nga Leposaviqi kanë vendosur që të shkojnë në Serbi për t’i tërhequr të ardhurat e tyre.
“Isha në Kralevë dhe i mora paratë atje”, thotë Lubisha.
“Rashka është afër nesh, kështu që kur shkojmë për ushqime - sepse çdo gjë është bërë e shtrenjtë këtu [në Leposaviq] - i tërheqim paratë atje”, thotë Marija.
Pensionistët presin zgjidhje
Por, disa pensionistë, si në veri, ashtu edhe në jug të Ibrit, thonë se “nuk ia dalin dot” dhe shpresojnë të gjendet një zgjidhje.
Njëri prej tyre është Zorani nga Graçanica.
“Nuk e kuptoj dot, po pres që të merren vesh, për hir të Zotit. Nuk kam marrë pension, duhet të pres”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Borivoja nga Mitrovica e Veriut thotë se pensionin për muajin shkurt e ka marrë derisa ka pasur ende dinarë, por se shprehet i shqetësuar për atë të radhës, i cili duhet të paguhet në fillim të marsit.
“Si mund t’ia dal? Të shkoj [në Serbi]? Jam invalid, nuk mund të pres [në radhë]. Duhet të kenë turp”, thotë Borivoja.
Radosllavi nga Leposaviqi thotë se ka një kartelë bankare nga Serbia, në të cilën e merr pensionin. Ai thotë se paratë i tërheq tani nga bankomatet në euro, por tregon se komisioni është i lartë.
“Këmbimi është 123 dinarë për një euro. Për neve nuk ia vlen. Në 500 euro humbasim 2 deri në 3 mijë dinarë [rreth 25 euro]”, thotë ai.
Ai shton se nuk ka asgjë kundër përdorimit të euros, por, siç thotë, duhet gjetur një zgjidhje alternative për të gjithë ata që marrin pagesa në dinarë.
“Masat e Qeverisë së Kosovës për zbutjen e pasojave do të jenë publike”
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha më 21 shkurt se Qeveria është e vetëdijshme se rregullorja e BQK-së prek një pjesë të qytetarëve nga komuniteti serb dhe, për këtë arsye, do të marrë masa për zbutjen e pasojave.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës për ta pyetur se për çfarë masash bëhet fjalë, por në përgjigjen që mori, shkurtimisht u tha se ato do të jenë publike dhe të paralajmëruara.
Bislimi tha më herët se do të jenë dhjetë masa “përmes të cilave do të sigurohemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë periudhë kalimtare të formalizimit të transaksioneve të pagesave”.
Banka Popullore e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse ka ndonjë zgjidhje në horizont për pagesat në dinarë për qytetarët serbë në Kosovë.
Për vite me radhë, Banka Popullore e Serbisë dërgoi dinarë në kasafortën e saj në Leposaviq, nga ku kompania ndërkombëtare, Henderson, i transportonte ata në institucionet financiare që operonin nën sistemin serb, të tilla si posta apo Kursimorja e Postës.
Por, BQK-ja thotë tani se kjo praktikë është e kundërligjshme.
Për Kosovën, çështje teknike, ndërsa për Serbinë, politike
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se në takimin në Bruksel më 27 shkurt nuk është diskutuar për rregulloren që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, por se janë paraqitur disa modele teknike se si Serbia mund të vazhdojë financimin e serbëve në Kosovë nëpërmjet kanaleve ligjore dhe transparente.
Qëndrim i Kosovës është që çështja e dinarit të mos negociohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe, për këtë arsye, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk mori pjesë në takimin në Bruksel.
Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ky është një problem që duhet të zgjidhet ekskluzivisht në nivelin politik.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i vazhdojnë urgjentisht bisedimet - me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian - për përdorimin e dinarëve në Kosovë.
Më herët, diplomatët amerikanë thanë se vendimi i Kosovës për të zbatuar rregulloren që e ndalon dinarin, ka ndikuar në cilësinë e raporteve SHBA-Kosovë.
Përgatiti: Valona Tela