Ndërlidhjet

Mediat ruse të qasshme në Kosovë, me gjithë sanksionet


Faqet e internetit të disa mediave ruse, të cilat u sanksionuan me një vendim të Qeverisë së Kosovës për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, janë ende të qasshme në vend, zbuloi Radio Evropa e Lirë gjatë disa testimeve të bëra në fillim të këtij muaji.

REL-i gjeti se disa prej tyre ishin të qasshme për qytetarët e Kosovës përmes disa kompanive që ofrojnë shërbime të internetit në Kosovë, përfshirë edhe kompaninë publike, Telekomi i Kosovës.

Kjo e fundit tha se disa probleme teknike dhe sulme kibernetike çuan në zhbllokimin e ueb-faqeve të sanksionuara, që, sipas Telekomit, ishte i përkohshëm.

Radio Evropa e Lirë gjeti, po ashtu, se institucioni përgjegjës i Kosovës, që i udhëzon kompanitë e internetit për bllokimin e faqeve të sanksionuara, nuk e ka përditësuar listën me media të reja që janë sanksionuar ndërkohë.

E kontaktuar nga REL-i, Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me sanksionet ndaj mediave ruse dhe zbatimin e tyre.

Prejse se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kosova i ndërmori të gjitha masat sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndërmorën kundër entiteteve ruse.

Nën sanksione u futën edhe media ruse si RT-ja, e njohur më herët si Russia Today, dhe Sputnik - të dyja të mbështetura nga Kremlini.

BE-ja i arsyetoi këto sanksione me qëllimin e ndalimit të “dezinformimit rus që synon destabilizimin e vendeve fqinje, BE-së dhe shteteve të saj anëtare”.

Nën sanksionet e BE-së e, rrjedhimisht, edhe ato të Kosovës u fut më vonë edhe ueb-faqja Rt.rs, që është versioni në gjuhën serbe i RT-së.

Rt.rs ose RT Ballkan u hap në fund të vitit 2022 në Serbi - vendin që nuk i vendosi sanksione Rusisë.

Kjo ueb-faqe u sanksionua me paketën e 11-të të sanksioneve të BE-së, në qershor të vitit 2023, e cila u adaptua edhe nga Qeveria e Kosovës, në korrik të atij viti.

Me vendimin për sanksione të BE-së, këtyre mediave duhet t’u bllokohet transmetimi në të gjitha format - përfshirë faqet në internet.

Cilat media të sanksionuara janë të qasshme në Kosovë?

Radio Evropa e Lirë testoi hapjen e faqeve të RT-së dhe RT Ballkanit nëpër pajisje të ndryshme që përdorin internetin që ofrohet nga kompani të ndryshme në Kosovë.

Këto të fundit rregullohen nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Kompjuterike i Kosovës (ARKEP).

Ndër furnizuesit kryesorë të internetit në vend është edhe kompania publike Telekomi i Kosovës.

Në testimet që REL-i bëri më 2 dhe 5 shkurt të këtij viti në telefona të lidhur me internetin e Telekomit të Kosovës, faqja RT.com u hap pa ndonjë telash, vetëm me një kërkim të thjeshtë në Google.

RT.com e qasshme në pajisjen që furnizohet me internet nga Telekomi i Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:30 0:00

Duke iu përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, Telekomi i Kosovës tha më 5 shkurt se është duke zbatuar vendimin për bllokimin e ueb-faqeve për rrjetin fiks të internetit.

Por, në rrjetin mobil, “për arsye teknike dhe ndërrimit të platformave” janë zhbllokuar një kohë dhe se tani “janë në proces të ndalimit. Bile këto ditë, së shpejti, presim t’i bllokojmë [ueb-faqet] edhe në rrjetin mobil”, tha Telekomi.

Ai shtoi se ka pësuar edhe një sulm kibernetik dhe se gjatë asaj kohe “faqet kanë mundur të hapen”, por nuk e specifikoi kohën e sulmit.

Faqja RT.com e qasshme përmes telefonit me internet nga Telekomi i Kosovës, më 5 shkurt 2024.
Faqja RT.com e qasshme përmes telefonit me internet nga Telekomi i Kosovës, më 5 shkurt 2024.

Më 7 shkurt, Radio Evropa e Lirë foli sërish me drejtorin teknik të Telekomit të Kosovës, Halil Krasniqi, i cili tha se bllokimi i ueb-faqeve, si RT.com, është bërë sërish natën e 5 shkurtit.

“Ne jemi në proces të implementimit të platformave të reja. Firewall të rinj [platforma për siguri kibernetike] kemi instaluar para tri javësh", tha Krasniqi.

Ai tha se është “koincidencë” fakti që ribllokimi i ueb-faqeve në rrjetin mobil është bërë pas pranimit të pyetjeve nga Radio Evropa e Lirë.

“Ne kemi rregullisht edhe sulme të vogla [kibernetike]”, tha Krasniqi, duke shpjeguar se në këto kohë, për shkak të mbrojtjeve që Telekomi bën, bie edhe mundësia e bllokimit të ueb-faqeve.

Ai siguroi se me investimet e reja, ky problem nuk do të shfaqet më.

Faqja RT.com rezulton e bllokuar në pajisjet që përdorin internetin e kompanisë private, IPKO.

Ndërkaq, në operatorin MTS - kompani që bën furnizimin me internet në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe - faqja RT.com ishte e qasshme gjatë testimeve që bëri REL-i në fillim të shkurtit.

MTS-ja, si kompani telefonike dhe e internetit, u themelua me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për të ofruar shërbime për katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kjo kompani është nën pronësi të Telekomit të Serbisë.

RT.com e qasshme në pajisjen e lidhur me internetin që e ofron MTS-ja, më 4 shkurt.
RT.com e qasshme në pajisjen e lidhur me internetin që e ofron MTS-ja, më 4 shkurt.

MTS-ja i tha Radios Evropa e Lirë se i është përmbajtur listës së bllokimit që Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Kompjuterike i Kosovës (ARKEP) ia ka dërguar.

“Ndërkohë që ne i jemi përmbajtur me rigorozitet listës së ofruar nga ARKEP-i, ne e pranojmë mundësinë e daljes së portaleve të reja në internet që nuk ishin pjesë e direktivës fillestare”, tha MTS-ja.

Në listën e ueb-faqeve që duheshin bllokuar, të cilën Radio Evropa e Lirë e siguroi nga ARKEP-i, figuron edhe ajo RT.com.

Hekuran Doli, ekspert i sigurisë kibernetike në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse një faqe me emër dhe adresë specifike të internetit, si për shembull RT.com, bllokohet nga një kompani që ofron internet, ajo nuk supozohet të jetë e qasshme.

Megjithatë, sipas tij, faqe të ndryshme që kanë ndërlidhje me këtë media, mund të hapen në vazhdimësi.

“RT mund ta hapë një domen të ri, [t’ia vendosë emrin] ‘Russiantime’, për shembull, dhe kjo faqe mund të jetë në dispozicion dhe e qasshme për përdoruesit në Kosovë, por të gjendet është më e vështirë, pasi është faqe e re”, shpjegoi Doli.

RT në serbisht e sanksionuar, por jo e bllokuar

Ndonëse e sanksionuar nga Qeveria e Kosovës, ueb-faqja RT.rs apo e RT-së në gjuhën serbe nuk gjendet në urdhrin e ARKEP-it për bllokim.

Ky institucion i tha Radios Evropa e Lirë se, në mars të vitit 2022, në bazë të vendimit qeveritar për sanksione, lista prej 124 ueb-faqeve që duhej të bllokoheshin, iu dërgua kompanive që ofrojnë shërbime të internetit.

Megjithatë, ARKEP-i nuk u përgjigj në pyetjen se pse kjo listë nuk është përditësuar edhe me media tjera që janë sanksionuar më vonë, përfshirë RT.rs, por tha se është në monitorim të vazhdueshëm të zbatimit të urdhëresës së tij.

“ARKEP-i, në vazhdimësi, i monitoron këto domene dhe sub-domene. Eventualisht, pas marrjes së njoftimeve nga palët, u kërkon menjëherë operatorëve që ta bëjnë bllokimin e tyre. Ky proces është i vazhdueshëm dhe kërkojmë edhe ndihmën e të gjithëve, në mënyrë që ta pasurojmë listën me domene të reja, e që pastaj t’i udhëzojmë operatorët për bllokim”, tha ARKEP-i.

Ueb-faqja RT.rs ishte e qasshme në të gjithë ofruesit e internetit që testoi Radio Evropa e Lirë në fillim të shkurtit.

Ueb-faqja RT.rs e qasshme në pajisjen me internet nga IPKO-ja, më 2 shkurt 2024.
Ueb-faqja RT.rs e qasshme në pajisjen me internet nga IPKO-ja, më 2 shkurt 2024.

Kompania IPKO i konfirmoi REL-it, po ashtu, se kjo faqe nuk ishte pjesë e listës fillestare për bllokim.

Pas pranimit të pyetjeve nga REL-i, më 2 shkurt, kjo kompani tha se ka nisur procedura për bllokimin edhe të kësaj faqeje dhe në testimet e mëvonshme të REL-it, ajo ishte e bllokuar.

Media Sputnik, përmes ueb-faqeve Sputnikglobe.com dhe Sputnikportal.rs, ishte po ashtu lehtësisht i qasshëm në Kosovë.

Dhjetëra faqe që lidhen me median Sputnik, janë në listën e bllokimit nga ARKEP-i, por jo edhe këto dy.

“Teknikisht, është pothuajse e pamundur të bllokohen të gjitha faqet, emrat dhe IP-adresat [adresat e internetit], për shkak se nëse e bllokon një faqe, po e njëjta faqe mund ta hapë një domen [emër] të ri dhe një IP-adresë të re, dhe kjo faqe, pastaj, duhet të gjendet dhe të bllokohet”, shpjegoi eksperti Hekuran Doli.

Megjithatë, shtoi ai, secili përdorues i internetit mund ta shmangë çfarëdo bllokimi nga ana e ofruesve të internetit, duke përdorur atë që quhet VPN (Virtual Private Network), e që është rrjet privat falas ose me pagesë dhe anashkalon kufijtë shtetërorë të internetit.

Sanksionet e sfiduara edhe në Evropë

Edhe pse BE-ja ndërmori sanksione ndaj Rusisë dhe mediave ruse tash e dy vjet, edhe në vendet anëtare të bllokut zbatimi i tyre po përcillet me probleme.

Radio Evropa e Lirë raportoi së voni se faqet e internetit të RT-së dhe Sputnikut, janë lehtësisht të qasshme në shumë vende të BE-së, përfshirë edhe vetë institucionet që i hartuan sanksionet kundër tyre.

Në Bruksel të Belgjikës, video, tekste dhe përmbajtje të tjera të RT-së dhe Sputnikut ofrohen në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, serbisht, spanjisht dhe arabisht.

Ekipi hulumtues i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë përdori, gjithashtu, rrjete private virtuale (VPN) në 19 shtete të tjera anëtare të BE-së dhe në secilin rast pa se faqet e internetit të RT-së dhe Sputnikut ishin të qasshme pa asnjë problem.

Johannes Bahrke, zëdhënës i Komisionit Evropian, përgjegjës për ekonominë digjitale, kërkimin dhe inovacionin, por edhe zyrtarë të tjerë të BE-së thanë se problemi buron nga pengesat për zbatim nga vetë 27 vendet anëtare të BE-së dhe organet ose agjencitë e tyre përkatëse.

Për ta zbatuar ndalesën, sipas tyre, autoritetet në çdo shtet anëtar duhet të kërkojnë nga ofruesit lokalë të shërbimeve që të eliminojnë qasjen në faqet e internetit të drejtuara nga Rusia.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështje të jashtme dhe politika të sigurisë, Josep Borrell, themeloi projektin e tij kryesor EUvsDisinfo, në vitin 2015.

Ai e përshkruan RT-në dhe Sputnikun jo si organizata mediatike, por si “armë të Kremlinit për mashtrim”.

Faqja e internetit e EUvsDisinfo thotë se qëllim kryesor i projektit është ta rrisë ndërgjegjësimin dhe kuptimin e publikut për ndikimin rus dhe për operacionet e dezinformimit, si dhe t’i ndihmojë qytetarët e Evropës dhe më gjerë që të zhvillojnë rezistencë ndaj informacionit digjital dhe manipulimit mediatik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG