Thellë në zemër të Bashkimit Evropian, brenda ndërtesave të mëdha të Lagjes Evropiane në kryeqytetin belg, ka prova të dukshme të dobësisë së bllokut.
Pa përdorur VPN-në ose mjete të tjera për t’u lidhur, një korrespondent i Radios Evropa e Lirë arriti të hynte në ueb-faqet dhe shërbimet e transmetimit të RT-së - e njohur më herët si Russia Today - dhe Sputnikut nga ndërtesat e organit ekzekutiv të BE-së, që është Komisioni Evropian.
Ai përcakton agjendën dhe drejtimin e përgjithshëm politik të BE-së, por nuk negocion apo miraton legjislacione.
Ueb-faqet ishin të qasshme në disa gjuhë, pavarësisht “pezullimit urgjent” të tyre nga ana e Këshillit Evropian, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.
Gati dy vjet pasi në gjithë BE-në u vendosën sanksionet për ta penguar propagandën ruse që mbështet luftën e Kremlinit në Ukrainë, faqet e internetit të RT-së dhe Sputnikut - të mbështetura nga Kremlini - janë lehtësisht të qasshme në shumë vende të BE-së, përfshirë edhe vetë institucionet që i hartuan sanksionet kundër tyre.
Në Bruksel, video, tekste dhe përmbajtje të tjera të RT-së dhe Sputnikut ofrohen në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, serbisht, spanjisht dhe arabisht.
Ekipi hulumtues i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë përdori, gjithashtu, rrjete private virtuale (VPN) në 19 shtete të tjera anëtare të BE-së dhe në secilin rast pa se faqet e internetit të RT-së dhe Sputnikut ishin të qasshme pa asnjë problem.
Lehtësia e qasjes është një goditje e qartë mbi përpjekjet e paprecedente perëndimore për ta ndëshkuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës dhe për t’i luftuar dezinformatat e saj.
“Sanksionet i mbulojnë të gjitha mjetet për transmetimin dhe shpërndarjen, të tilla si kabllo, satelit, IPTV… faqet e internetit dhe aplikacionet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Johannes Bahrke, zëdhënës i Komisionit Evropian, përgjegjës për ekonominë digjitale, kërkimin dhe inovacionin.
“Të gjitha licencat përkatëse, autorizimet dhe aranzhimet e shpërndarjes janë pezulluar”, sipas tij.
Bahrke, zyrtarë të tjerë të BE-së dhe ekspertë të jashtëm thonë se problemi buron nga pengesat për zbatim nga vetë 27 vendet anëtare të BE-së dhe organet ose agjencitë e tyre përkatëse.
Për ta zbatuar ndalesën, thonë vëzhguesit, autoritetet në çdo shtet anëtar duhet të kërkojnë nga ofruesit lokalë të shërbimeve që të eliminojnë qasjen në faqet e internetit të drejtuara nga Rusia. Sipas tyre, metoda më e sigurt është ndalimi i domeneve dhe adresave specifike të ueb-faqeve në nivel kombëtar.
“Autoritetet kombëtare caktojnë organe ose agjenci përkatëse qeveritare, përgjegjëse për zbatimin e sanksioneve të BE-së, varësisht sektorit që mbulon përcaktimi specifik i sanksioneve”, thotë Tinatin Cervadze, eksperte për sanksionet evropiane në Institutin e Shoqërisë së Hapur.
Në sferën mediatike, sipas saj, zbatimi i sanksioneve lihet në vullnetin e ofruesve të shërbimeve të internetit.
Bahrke thotë se në rastin e RT-së, Bashkimi Evropian sanksionoi median në anglisht dhe gjithashtu në Gjermani, Francë dhe Spanjë dhe pastaj edhe në arabisht. Sanksionet kapën edhe RT-në e Ballkanit në serbisht.
Rasti serb paraqet një sfidë të veçantë për BE-në dhe Perëndimin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, refuzoi t’u bashkohej sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Është i vetmi vend, përveç Turqisë dhe Bjellorusisë, që shmangu distancimin zyrtar nga Rusia.
Sputniku i nisi operacionet e tij atje në vitin 2019 dhe ka zyrë në Beograd, ndërsa RT-ja i nisi operacionet në gjuhën serbe në fund të vitit 2022.
“U takon ofruesve përkatës që ta bllokojnë qasjen në faqet e internetit të mediave të sanksionuara”, thotë Bahrke.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë kërkoi shpjegime nga ofruesit e shërbimeve specifike në Belgjikë, ku janë të vendosura institucionet e BE-së, si dhe nga Ministria belge e Telekomunikacionit, por, edhe dy javë pas kërkesës, nuk mori përgjigje.
BE-ja, përndryshe, veproi urgjentisht për t’i kundërshtuar operacionet e ndikimit rus përmes mediave.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështje të jashtme dhe politika të sigurisë, Josep Borrell, themeloi projektin e tij kryesor EUvsDisinfo, në vitin 2015.
Ai e përshkruan RT-në dhe Sputnikun jo si organizata mediatike, por si “armë të Kremlinit për mashtrim”.
Faqja e internetit e EUvsDisinfo thotë se qëllim kryesor i projektit është ta rrisë ndërgjegjësimin dhe kuptimin e publikut për ndikimin rus dhe për operacionet e dezinformimit, si dhe t’i ndihmojë qytetarët e Evropës dhe më gjerë që të zhvillojnë rezistencë ndaj informacionit digjital dhe manipulimit mediatik.
“Rusia e shoqëron luftën e saj të paligjshme kundër popullit ukrainas me luftë informacioni dhe propagandë luftarake agresive në shkallë globale”, tha zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano, gjatë prezantimit të një raporti për ndërhyrje të huaj dhe dezinformim, më 23 janar.
“Regjimi i Kremlinit i transformoi mediat e kontrolluara nga shteti në instrumente të manipulimit të informacionit dhe luftës së informacionit. Kjo është arsyeja përse Bashkimi Evropian ndaloi një numër të tyre - përfshirë Russia Today dhe Sputnik - nga hapësira mediatike e BE-së”, tha Stano.
Yevhen Fedchenko, bashkëpronar dhe redaktor i faqes së internetit StopFake me bazë në Kiev - e cila u themelua për ta hedhur poshtë propagandën e supozuar ruse - thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se kufizimet e BE-së, të vendosura në vitin 2022, “tani janë pothuajse inekzistente”.
“Rusia po i rindërton shpejt kapacitetet e saj, duke kuptuar se nuk ka përpjekje serioze për ta penguar atë që ta pushtojë hapësirën evropiane të informacionit duke i përdorur të gjitha instrumentet e disponueshme: riarmatimin e mediave tradicionale si RT ose Sputnik; influencuesit në çdo pjesë të botës; zotërimin e kompanive lokale të mediave, si dhe platformat Telegram dhe TikTok”, thotë Fedchenko.
“Ne jemi shumë më të cenueshëm ndaj këtij kërcënimi, sepse informacioni qarkullon me shpejtësinë e dritës”, tha Borrell në janar, derisa shpalli disa masa të reja kundër ndërhyrjes së huaj dhe dezinformimit.
Transmetimi i RT-së në gjuhët kombëtare u ndalua në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani përpara sanksioneve të BE-së, që pasuan pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Ekspertët në emër të firmës ligjore belge Simmons & Simmons vunë në dukje, qershorin e kaluar, se “në dritën e luftës në Ukrainë” dhe një ndryshimi në rregulloren e BE-së nr. 833/2014, licencat e transmetimit të transmetuesve rusë ishin “të pavlefshme” dhe “licencat e transmetimit ose marrëveshjet e autorizimit, transmetimit dhe shpërndarjes me disa media të caktuara, si Russia Today dhe Sputnik, janë pezulluar nga 1 marsi, 2022, e këndej”.
Ata shtuan: “Shtetet anëtare të BE-së nuk kanë të drejtë të zbatojnë rregulla më pak të rrepta për transmetuesit, por mund të vendosin rregulla më të rrepta për ofruesit e shërbimeve të mediave audiovizive nën juridiksionin e tyre, me kusht që ato nuk i shkelin të drejtat themelore”.