Ndërlidhjet

Skenarët e mundshëm për Gazën e pasluftës


Palestinezë duke shikuar një vend të bombarduar nga Izraeli, në Han Junis, në jugun e Rripit të Gazës, më 23 tetor.
Palestinezë duke shikuar një vend të bombarduar nga Izraeli, në Han Junis, në jugun e Rripit të Gazës, më 23 tetor.

Bashkëjetesa edhe ashtu jo e lehtë midis Izraelit dhe Hamasit për më shumë se 16 vjet, nuk do të mund t’i mbijetojë konfliktit aktual.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta zhdukë nga faqja e dheut grupin militant.

“Pamjet e shkatërrimit dhe rrënimit të bastioneve të Hamasit në Gazë janë vetëm fillimi. Kemi vrarë qindra terroristë. Dhe nuk do të ndalemi me kaq. Çdo vend ku vepron Hamasi, do të jetë në gërmadha”, ka thënë ai.

Grupi militant palestinez i Hamasit ka nisur një sulm të paprecedentë kundër Izraelit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1.400 njerëz dhe duke marrë qindra pengje.

Së paku 3.300 njerëz janë vrarë deri më tash në Gazë, pasi Izraeli ka filluar sulmet ajrore hakmarrëse në të njëjtën ditë, dhe pritet të nisë edhe ofensivën tokësore.

Izraeli, po ashtu, ka rrethuar enklavën me 2.2 milionë banorë, duke i bllokuar pjesën më të madhe të furnizimeve me ushqime, ujë dhe energji elektrike.

Shumica e spitaleve atje nuk funksionojnë, ndërsa disa prej tyre janë dëmtuar keq edhe nga shpërthimet. Së paku 500 njerëz janë raportuar të vrarë vetëm mbrëmjen e 17 tetorit, kur një shpërthim ka goditur spitalin Al-Ahli Arab, të mbushur plot.

Hamasi - grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera - ka sunduar Gazën nga viti 2007. Ai është betuar për shkatërrimin e Izraelit dhe dëshiron ta zëvendësojë atë me një shtet islamik. Ai ka zhvilluar disa luftëra me Izraelin prej se ka marrë pushtetin, të cilat kanë përfunduar me një lloj paqeje të brishtë.

Por, kësaj radhe është ndryshe - ky nuk është thjesht një rund tjetër me Hamasin, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Susannah Heschel, ligjëruese e studimeve hebraike në Kolegjin Dartmouth, në Nju Hempshir.

“Hamasi ka kryer sulmet më të tmerrshme kundër një kombi sovran që nga 11 shtatori [i vitit 2001], ndoshta. Dhe, krahasuar me madhësinë e popullsisë, do të thosha se kërdia e Hamasit ndaj izraelitëve i tejkalon sulmet e 11 shtatorit [në SHBA]. Pra, kjo ishte një katastrofë në çdo aspekt të qenies njerëzore”, thotë Heschel.

Të gjitha episodet e rubrikës Expose mund t'i gjeni këtu.

Pamjet e Hamasit duke masakruar familje izraelite dhe duke rrëmbyer fëmijë i kanë dhënë fund status quo-së së deritashme, thotë edhe Nimrod Goren, nga Instituti për Lindjen e Mesme.

Duke folur për Exposenë nga Jerusalemi, ai i përshkruan veprimet e grupit si “terroriste” dhe të papara ndonjëherë.

“Numër aq të madh njerëzish të vrarë, të plagosur ose të rrëmbyer, Izraeli nuk ka pasur kurrë që nga themelimi i tij. Sulmi është i paprecedentë. Dëmi është enorm. Çdo izraelit njeh dikë që është vrarë, është plagosur ose është marrë peng. Është shumë personale. Pra, është diçka me përmasa krejtësisht ndryshe”, thotë Goren.

Se çfarë do ta zëvendësonte status quo-në e deritashme, është vështirë të parashikohet, thonë analistët. Sipas tyre, marrëdhëniet e ardhshme Izrael-Gazë do të mund të varen edhe nga ajo që mbetet prej Hamasit dhe Gazës kur luftimet të mbarojnë.

Vetë zyrtarët izraelitë nuk duket se janë të gatshëm për t’i diskutuar mundësitë publikisht. Ministrja për Inteligjencë e Izraelit, Gila Gamliel, ka thënë për mediat:

“Duhet të shohim se sa kohë do të duhet për ta shkatërruar Hamasin. Dhe, atëherë, besoj se do të ketë një mirëkuptim ndërkombëtar me Izraelin për ditën e nesërme. Por, tani, ne duhet ta përqendrojmë të gjithë fuqinë tonë për ta fituar këtë luftë”.

Hamasi “do ta paguajë çmimin dhe do ta mbajë mend”, ka thënë Netanyahu. Prapa këtij qëllimi duket se qëndron edhe publiku izraelit.

“Ndihem sikur jemi mjaft të fortë dhe po marrim mbështetje ndërkombëtare. Do t’i mundim armiqtë tanë, do t’i luftojmë. Ata nuk do të kenë kurrë më aftësi për të bërë diçka të tillë”, ka thënë Livia Shuwaks, banore e Tel Avivit, për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Nuk dua të them gjëra si këto, por mendoj se Gazës i duhet t’i pastrojë të gjithë ata. Nuk më takon mua t’i them këto gjëra, por nuk kemi zgjidhje tjetër, mendoj”, ka thënë bashkëqytetarja e saj, Nicol Mori.

Fshati izraelit, i rrënuar pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00


Ekspertët thonë se edhe nëse Izraeli vret çdo udhëheqës të Hamasit në Gazë, shkatërrimi i organizatës mund të jetë mision i pamundur. Sipas tyre, Hamasi është një ideologji që ka mbështetës gjetiu - nga Libani në Katar.

Goren, nga Instituti për Lindjen e Mesme, thotë se vakumi që do të linte rrëzimi i këtij grupi nga pushteti, do të duhej të plotësohej nga një organ qeverisës që do ta rindërtonte enklavën e shkatërruar.

“Ky është një shans për ta rikthyer unitetin palestinez. Hamasi ka marrë përsipër Rripin e Gazës 16 vjet më parë. Më herët është kontrolluar nga Autoriteti Palestinez. Ndarja midis Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës ka qenë gjithmonë pengesë në përpjekjet për të bërë përparim drejt paqes. Nëse ka një person të moderuar, të unifikuar në udhëheqje, me të cilin do të mund të zhvillohen negociata, ai do të sillte një rezultat më të mirë sesa situata ku ishim para luftës”, thotë Goren.

Goren shton se mund të ndodhë që edhe disa “aktorë të tjerë” t’i marrin përgjegjësitë për Gazën - së paku për një kohë të caktuar. Ai nuk specifikon se për kë e ka fjalën, por disa opsione që qarkullojnë janë: paqeruajtësit ndërkombëtarë, rikthimi i Autoritetit Palestinez që aktualisht qeveris me Bregun Perëndimor, ose qeverisja nga Izraeli.

Kolumnisti i gazetës izraelite Haaretz, Yossi Melman, ka përmendur edhe skenarin ku krahu politik i Hamasit do të mbijetonte, edhe pse ka pranuar se gjasat për këtë janë të vogla.

“Forcat izraelite të mbrojtjes kanë thënë se të gjithë udhëheqësit e Hamasit janë tani shënjestra... se fat i tyre do të jetë vdekja”, ka shkruar Melman në platformën X.

Por, sipas tij, një Hamas i çarmatosur, që do të mbetej në pushtet, ka qenë gjithmonë prioritet strategjik i Netanyahut, i cili do të donte ta shihte vazhdimin e përçarjes së popullit palestinez midis Hamasit në njërën anë dhe Autoritetit Palestinez në anën tjetër.

Susannah Heschel, nga Kolegji Dartmouth, sugjeron që çdo hap pas përfundimit të luftës, të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Kjo është një situatë që kërkon shumë njerëz të përfshihen, që ta bëjnë Gazën një vend të jetueshëm për njerëzit atje. Është një pjesë e bukur e botës pikërisht në bregdetin e Mesdheut. Ajo mund të lulëzojë. Por, nuk do të mjaftojë vetëm angazhimi i agjencive qeveritare dhe i Kombeve të Bashkuara. Do të duhet edhe një ndryshim kulturor i palestinezëve dhe gjithashtu i izraelitëve. Një ndryshim kulturor që thotë: le t’i ulim armët dhe le të shohim se çfarë mund të bëjmë për të arritur paqe”, thotë Heschel.

  • Më shumë informacione rreth luftës Izrael-Hamas, mund të gjeni këtu.


Perëndimi i ka shprehur mbështetje Izraelit në luftën e tij kundër Hamasit. “Nuk jeni vetëm”, ka qenë mesazhi i presidentit amerikan, Joe Biden, gjatë qëndrimit të tij në Tel Aviv, më 18 tetor.

“Dua t’i them popullit të Izraelit: Guximi i tyre, përkushtimi i tyre, trimëria e tyre janë mahnitëse”, ka thënë ai.

Por, aktivistë të të drejtave të njeriut tërheqin vërejtjen edhe për agoninë humanitare në Gazë dhe për sulmet pa dallim në zonat e populluara me civilë. Për Radion Evropa e Lirë flet Kenneth Roth, ish-drejtor i organizatës Human Rights Watch:

“Shumë njerëz i shohin sulmet e tmerrshme të Hamasit dhe thonë se Izraeli ka të drejtë të përgjigjet. Kjo është e vërtetë. Por, e drejta për t’u përgjigjur ushtarakisht nuk ju jep lirinë për të bërë çfarë të doni. Çështja është se si po përgjigjet Izraeli. Ai e ka detyrë ligjore absolute të përgjigjet në përputhje me parimet që janë krijuar për t’i kursyer sa më shumë civilët”.


Analistët thonë se dhuna mes Izraelit dhe Hamasit ka të ngjarë të përshkallëzohet në javët e ardhshme, por se ajo nuk do të përcaktojë se kush do ta fitojë luftën. Fituesi do të përcaktohet në tryezën e bisedimeve, thonë ata.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Izraeli ka 169.000 ushtarë aktivë, ndërsa brigadat e Hamasit deri në 20.000. Izraeli, po ashtu, beson se Hamasi, i mbështetur nga Irani, ka armatim të fuqishëm, përfshirë raketa anti-tank.

Rrjedhën e luftës mes tyre me ankth janë duke e përcjellë edhe vendet fqinje, ndërkohë që dy aeroplanmbajtëse amerikane janë dërguar tashmë në Mesdheun lindor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG