Reuters
Zgjedhjet parlamentare në Spanjë, më 23 korrik, përfunduan me bllokadë politike, pasi e djathta dështoi ta arrinte fitoren e parashikuar vendimtare.
Opozita konservatore, Partia Popullore e Alberto Nunez Feijoos, i mundi socialistët në pushtet të kryeministrit në detyrë, Pedro Sanchez, dhe ka të ngjarë të bëjë përpjekje për të formuar qeverinë e re.
Megjithatë, ajo nuk arriti ta sigurojë shumicën e plotë dhe, madje, edhe me mbështetjen e partisë anti-migrante, Vox, do t’i mungojnë votat në Dhomën e Ulët të Parlamentit për të siguruar kryeministrinë.
Asaj do t’i duhej edhe mbështetja e partive më të vogla rajonale.
Por, shumica thonë se nuk do ta mbështesin një qeveri që i ka dhënë së djathtës ekstreme rol, për herë të parë që nga miratimi i Kushtetutës së Spanjës më 1978 - pas diktaturës katërdekadëshe të Francisco Frankos.
Pse u thirrën zgjedhjet?
Zgjedhjet kombëtare duhej të mbaheshin në dhjetor, por Sanchez thirri papritur votimet e parakohshme, gjatë sezonit të pushimeve verore, pasi e majta doli keq në zgjedhjet lokale që u mbajtën në maj.
Qëllimi ishte për të çorientuar Partinë Popullore, duke e detyruar atë të bënte fushatë gjatë kohës sa negocionte për koalicion me partinë Vox, pas zgjedhjeve lokale.
Partia e Sanchezit ia doli deri diku, duke e bllokuar të djathtën dhe duke fituar dy vende shtesë, në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të vitit 2019.
Çfarë thoshin sondazhet?
Sondazhet e opinionit sugjeruan se Partia Popullore dhe Vox do të fitonin bashkërisht së paku 176 vendet e nevojshme për një shumicë.
Dy sondazhe të mëdha, të publikuara natën e zgjedhjeve, sugjeruan gjithashtu se ato do të siguronin shumicën.
Megjithatë, Partia Popullore rezultoi më keq seç parashikohej, ndërsa ajo e Sanchezit performoi më mirë.
Sa ishte pjesëmarrja?
Gjithsej, 37.4 milionë spanjollë u regjistruan për të votuar, përfshirë 2.3 milionë jashtë vendit.
Pothuajse 2.5 milionë vota u hodhën përmes postës.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 70.4% - më e lartë se në zgjedhjet e nëntorit 2019, kur ishte 66.23%.
Kur do të formohet Qeveria e re?
Parlamenti i ri duhet të konstituohet deri më 17 gusht, kur deputeti më i vjetër emërohet kryetar i përkohshëm.
Ligjvënësit votojnë në të njëjtën ditë për të zgjedhur kryetarin e rregullt.
Mbreti Felipe VI do të fillojë të takohet me liderët e partive së shpejti, për t’i dëgjuar qëndrimet e tyre, dhe më pas duhet të paraqesë një kandidat për kryeministër.
Negociatat e kandidatit për të formuar Qeverinë nuk kanë afat kohor.
Nëse kandidati nuk arrin ta sigurojë shumicën absolute në një votim parlamentar, rivotimi që kërkon pastaj shumicën e thjeshtë, mbahet 48 orë më vonë. Nëse sërish nuk ia del, mbreti duhet ta zgjedhë një kandidat të ri.
A mund të ketë zgjedhje të tjera?
Nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën brenda dy muajve nga votimi i parë, duhet të shpallen zgjedhje të reja.
Spanjës iu deshën katër palë zgjedhje përpara se Qeveria e pakicës e Sanchezit të merrte pushtetin në fillim të vitit 2020. Kjo, pasi nuk mund të arriheshin marrëveshje për koalicion.