Ndërlidhjet

Pak i njohur jashtë Spanjës, kush është kandidati që s'humbi asnjëherë në zgjedhje?


Alberto Nunez Feijoo, politikani konservator për të cilin sondazhet thonë se do të bëhet kryeministri i radhës i Spanjës.
Alberto Nunez Feijoo, politikani konservator për të cilin sondazhet thonë se do të bëhet kryeministri i radhës i Spanjës.

AP

Alberto Nunez Feijoo, politikani konservator për të cilin sondazhet thonë se do të bëhet kryeministri i radhës i Spanjës, dëshiron ta sjellë ndër mend se ai është thjesht një “djalosh i butë fshati” nga pjesa rurale veriperëndimore e vendit. Një njeri i përulur, i çiltër, madje i bezdisshëm, siç i pëlqen atij ta përshkruajë veten.

Kandidati i Partisë Popullore Konservatore (PPK) për zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, është kryesisht i panjohur jashtë Spanjës, por ai ka qenë lideri më i fuqishëm rajonal i vendit deri tani këtë shekull.

Feijoo nuk ka humbur në zgjedhje kurrë.

Feijoo ka qenë një “buldozer” politik gjatë 13 vjetëve si udhëheqës i rajonit të Spanjës veriperëndimore, Galicia, vendlindjes së diktatorit të shekullit XX, Francisco Franco, dhe ish-kryeministrit Mariano Rajoy, i cili e udhëhoqi Spanjën nga viti 2011 deri më 2018 si lider i PPK-së.

Feijoo e mori pushtetin si president rajonal i Galicias më 2009 dhe e fitoi shumicën absolute katër herë deri në vitin 2022, kur dha dorëheqje për të shkuar në Madrid me synim për ta shpëtuar partinë nga kriza më e madhe e lidershipit në historinë e saj.

Ai e ka krijuar imazhin e vet politik si një udhëheqës i drejtpërdrejtë dhe i thjeshtë. Ai e sheh veten si antitezë të kryeministrit të tanishëm socialist të Spanjës, Pedro Sanchez, i cili a akuzon Feijoon se thotë ai po bën gjithçka vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet.

Alberto Nunez Feijoo gjatë Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Popullore në Sevillë, 2 prill 2022.
Alberto Nunez Feijoo gjatë Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Popullore në Sevillë, 2 prill 2022.

“Feijoo është politikan me shumë përvojë, menaxher i mirë, i cili nuk bie në qendër të vëmendjes as për mirë as për keq, dhe kjo mund të jetë gjë pozitive madje”, thotë Miguel Anxo Bastos, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Santiago de Compostela (USC).

“Ai nuk e ka një agjendë shumë të dalluar ideologjike, por është më progresiv se partia e vet. Ai është njëfarë demokrati social konservator, i cili e mbron rolin e shtetit. Ai nuk dëshiron të revolucionojë asgjë, do thjesht që shërbimet të jenë funksionale”, thotë Bastos.

Por, kritikët e tij thonë se nën mburojën e parrezikshmërisë së tij fshihet një aktivist i pamëshirshëm, i cili kur të vijë koha e zgjedhjeve mund të të njollosë më keq se kushdo tjetër.

Motoja e vetme e Feijoos që kur u emërua lider konservator i Spanjës ka qenë “shfuqizimi i Sanchismos”. Kjo është mënyra se si ai i është referuar qeverisjes së Sanchezit.

Lideri i ri i Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, duke folur gjatë një takimi elektoral në Madrid, më 20 korrik 2023, para zgjedhjeve të përgjithshm të 23 korrikut.
Lideri i ri i Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, duke folur gjatë një takimi elektoral në Madrid, më 20 korrik 2023, para zgjedhjeve të përgjithshm të 23 korrikut.

“Me shfuqizim ai nënkupton dhënien fund të stilit, jo substancës (së Qeverisë së Sanchezit). Ne nuk duhet ta presim një dalje të madhe në zgjedhje nëse Feijoo bëhet kryeministër. Më së shumti, do të sjellë kthimin një hap mbrapa për disa prej ligjeve kontroverse të Sanchezit, si Ligji për kujtesën historike, apo Ligji për të drejtat e transgjinorëve, për lirinë e përcaktimit të gjinisë”, thotë Xose Luis Barreiro, një ish-politikan i rëndësishëm i Galicias, si dhe shkencëtar politik e autor i një përmbledhjeje të veprave dhe mendimeve të kandidatit të Partisë Popullore.

Barreiro thotë se virtyt i madh i Feijoos është zotërimi i kohës. Pas një karriere të suksesshme si një shërbyes civil i nivelit të lartë në Galicia dhe Madrid, e cila përfshiu edhe një periudhë si kryetar i postës së Spanjës, ai iu bashkua PPK-së në moshën 41-vjeçare, dhe tani po garon në zgjedhjet e përgjithshme për herë të parë në moshën 61-vjeçare. Nëse korr sukses, ai do të jetë kryeministri më i vjetër spanjoll që zgjidhet për herë të parë.

Madje, edhe në jetën e tij private, Feijoo është një njeri që e pret çastin e duhur. Në vitin 2009, ai u takua me partneren e tanishme, Eva Cardenas, ish-shefe ekzekutive në Zara Home të Inditexit. Por, ata nuk e nisën marrëdhënien e dashurisë deri në vitin 2013.

Lideri opozitar Alberto Nunez Feijoo gjatë një tubimi elektoral para zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë me 23 korrik.
Lideri opozitar Alberto Nunez Feijoo gjatë një tubimi elektoral para zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë me 23 korrik.

Në vitin 2017, kur Feijoo ishte 55 vjeç, u lindi fëmija i parë i tyre, Alberto Jr. Ai ishte gëzimi i madh i nënës së kandidatit, Sira Feijoo, e cila në zgjedhjet e vitit 2009 ishte ankuar se i biri i saj “thotë se u martua me Galician, por Galicia nuk më jep mua nipër e mbesa”.

Një deklarata goxha monastike, e cila e përkufizon në mënyrë të përsosur frymën e Feijoos. Në videon e njëjtë, motra e tij Micaela, i përdori termët “i ftohtë”dhe “libërdashës”, për ta përshkruar imazhin që, siç thotë ajo, transmeton kandidati konservator.

Feijoo e ka një dilemë të pakëndshme përpara vetes nëse dëshiron t’i fitojë zgjedhjet – ta formojë një koalicion me partinë e ekstremit të djathtë Vox, nëse nuk e fiton shumicën, diçka të cilën sondazhet pothuajse po e hedhin poshtë.

Kjo do të ishte hera e parë që një parti e ekstremit të djathtë futet në Qeverinë spanjolle prej kur mori fund diktatura e Francos. Feijoo e ka pranuar tashmë se, nëse i nevojitet ajo, do ta marrë, pasi e ka bekuar hyrjen e Vox-it në disa qeveri rajonale pas zgjedhjeve komunale dhe rajonale në maj.

Alberto Nunez Feijoo nuk ka humbur në zgjedhje kurrë.
Alberto Nunez Feijoo nuk ka humbur në zgjedhje kurrë.

Vox ka bërë fushatë të fortë për heqjen e ligjeve kundër dhunës gjinore dhe kufizimin e pushtetit të qeverive rajonale, qëndrime të cilat mund ta çojnë atë drejt konfliktit me Feijoon, posaçërisht duke marrë parasysh të kaluarën e tij si udhëheqës i Galicias.

Krahasuar me kandidatin e Vox-it, Santiago Abscal, dhe madje me vetë gjeneratën e re të Partisë Popullore, Feijoo është një konservator i moçëm, i interesuar më shumë në balancimin e buxhetit se në luftën kulturore me majtistët e Spanjës.

Feijoo është i shqetësuar nga lidhja që kishte me Marcial Doradon në vitet ’90. Dorado ishte biznesmen, i cili, derisa i ofronte shërbime administratës së Galicias kur Feijoo ishte numër dy në departamentin e shëndetësisë, ishte udhëheqës edhe i një zinxhiri famëkeq të kontrabandës me cigare.

Feijoo ka qenë një “buldozer” politik gjatë 13 vjetëve si udhëheqës i rajonit të Spanjës veriperëndimore, Galicia, duke e fituar shumicën absolute katër herë radhazi.
Feijoo ka qenë një “buldozer” politik gjatë 13 vjetëve si udhëheqës i rajonit të Spanjës veriperëndimore, Galicia, duke e fituar shumicën absolute katër herë radhazi.

Feijoo dhe Dorado kishin një lidhje të ngushtë për gati një dekadë. Ata i kaluan pushimet verore dhe festat e Krishtlindjes së bashku. Më 2013 u publikuan disa fotografi të udhëtimeve të tyre dhe argëtimit me anije në Galicia gjatë vitit 1995.

Një fotografi në veçanti, e cila shfaq Feijoon duke pozuar në bordin e një jahti me Doradon, e ka përndjekur atë që prej atëherë. Dorado është duke e vuajtur tani një dënim me burgim prej 10 vjetësh për trafikim me drogë dhe shpëlarje parash.

Feijoo tha se sapo mori vesh për bizneset e paligjshme të Dorados, i ndërpreu marrëdhëniet me të menjëherë. Socialistët po përpiqen ta shfaqin marrëdhënien e pashpjegueshme mes tyre në pjesën e fundit të fushatës zgjedhore.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG