Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Spanjë: Blloku i djathtë prin, por s'e arrin shumicën


Votuesit duke pritur rezultatin e zgjedhjeve para shtabit zgjedhor të udhëheqësit të Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, në Madrid, më 23 korrik 2023.
Votuesit duke pritur rezultatin e zgjedhjeve para shtabit zgjedhor të udhëheqësit të Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, në Madrid, më 23 korrik 2023.

Asnjë parti apo bllok nuk ka fituar një shumicë absolute në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të Spanjës, të mbajtura më 23 korrik, sipas rezultateve të dala pas numërimit të 100 për qind të votave, pavarësisht se Partia Popullore (PP) ka arritur fitore të ngushtë ndaj socialistëve në pushtet.

PP-ja do t’i ketë 136 vende parlamentare në dhomën e poshtme prej 350 vendesh, 47 më shumë sesa që kishte marrë në zgjedhjet e mëparshme, të mbajtura më 2019.

Partia e ekstremit të djathtë, Vox, do t’i ketë 33 vende - 19 më pak se që kishte siguruar më 2019 - që do ta mbajnë atë si forcën e tretë më të madhe në parlament, raporton Reuters.

Por, një koalicion hipotetik mes saj dhe PP-së nuk mund të arrijë shumicën absolute prej 176 vendeve parlamentare.

Partia e Punëtorëve Socialistë Spanjollë, e kryeministrit Pedro Sanchez, e cila doli e dyta, do t’i ketë 122 vende, dy më shumë se që i fitoi më 2019, ndërsa aleatja e saj, Sumar nga ekstremi i majtë, do t’i ketë 31 vende.

Sanchez ka deklaruar, kur kishin mbetur pa numëruar pak vota, se e djathta dhe e djathta ekstreme “kanë dështuar” në përpjeken e tyre për, siç ka thënë ai, “zhbërjen e përparimit të arritur gjatë 4 vjetëve të fundit”.

Ndërkaq, prijësi i PP-së, Alberto Nunez Feijoo, ka thënë se partia e tij, si e fituese e numrit më të madh të vendeve parlamentare në zgjedhje, do të përpiqet ta formojë një qeveri të re.

Rezultatet sollën një parlament të ndarë, ndonëse sondazhet pas votimit tregonin se PP-ja dhe Vox kishin gjasa të mira të arrinin një shumicë për të formuar një qeveri.

Një burrë duke votuar në Barcelonë, më 23 korrik 2023.
Një burrë duke votuar në Barcelonë, më 23 korrik 2023.

Një koalicion i tillë do të kthente një forcë të ekstremit të djathtë në qeverinë spanjolle për herë të parë që kur vendi kaloi në demokraci, në fundin e viteve ’70, pas sundimit gati 40-vjeçar të diktatorit Francisco Franco.

Votuesit spanjollë iu drejtuan vendvotimeve që në orën 9 të mëngjesit të së dielës, për të votuar në një palë zgjedhje të përgjithshme që mund ta bëjnë Spanjën vendin më të fundit anëtar të Bashkimit Evropian që do të kalojë nga e djathta.

Zgjedhjet në Spanjë u mbajtën në kulmin e verës, teksa miliona votues janë duke pushuar larg qendrave të tyre të votimit.

Kryeministri Pedro Sanchez thirri zgjedhje të parakohshme, pasi Partia Socialiste dhe partneri i saj nga ekstremi i majtë, Unidas Podemos (Bashkë Mundemi), u mposhtën në zgjedhjet lokale dhe rajonale në maj. Sanchez është kryeministër që nga viti 2018.

Qeveria e Sanchezit e ka drejtuar Spanjën gjatë pandemisë së COVID-19 dhe është marrë me një rënie ekonomike të nxitur nga inflacioni dhe të përkeqësuar nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë.

Por, varësia e tij nga partitë e ekstremit për të ruajtur koalicionin e tij pakicë, përfshirë forcat separatiste nga Katalonja dhe Baskia, dhe miratimi i disa ligjeve liberale mund t’i kushtojë me pozitë.

Të djathtët nuk e pëlqejnë fare Sanchezin, i cili, sipas tyre, e ka tradhtuar dhe e ka shkatërruar Spanjën. Ata duan t’u shfuqizojnë shumë prej ligjeve të tij, prej të cilave kanë përfituar miliona qytetarë dhe mijëra kompani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG