Ndërlidhjet

Paralajmërimet për arrestime dhe listat e rreme frikësojnë serbët e Kosovës


Njerëz duke ecur në një rrugë, sipër së cilës qëndrojnë flamuj të Serbisë, në Zubin Potok, Kosovë, më 31 maj 2023.
Njerëz duke ecur në një rrugë, sipër së cilës qëndrojnë flamuj të Serbisë, në Zubin Potok, Kosovë, më 31 maj 2023.

Pohimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se janë identifikuar dhjetëra serbë që dyshohen për shkaktimin e dhunës dhe të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, ka rritur shpërndarjen e informacioneve të pavërteta në platforma të komunikimit, ku anëtarët janë kryesisht serbë të Kosovës.

Ditëve të fundit, në vazhdimësi janë publikuar lista me emra dhe me fotografi të, siç pretendohet, serbëve që pritet të arrestohen nga institucionet e sigurisë në Kosovë.

Qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut thonë se janë të frikësuar nga listat e ndryshme, që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale.

"Thuajse çdo ditë ndodh nga një arrestim. Mendoj se ata po arrestohen pa bazë. Ata po arrestohen, e pastaj po krijohen provat. Nuk ndodh kështu askund në botë”, shprehet Dushan Vukoviq.


Njëjtë pohon edhe Savo Lomigora. "Si qytetar, jam i shqetësuar, dhe frika po rritet. Njerëzit me të vërtetë humbën besimin, dhe shumë prej tyre po largohen, pasi janë të frikësuar për fëmijët e tyre, për sigurinë e tyre”, thotë ai.

Ndërkaq, Sinisha Vukojeviq tregon se si gjithmonë është i frikësuar se mund të arrestohet, teksa kalon kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. "Së pari të arrestojnë, pastaj e vërtetojnë nëse je fajtor apo jo”, shprehet ai.

E, qytetarët serbë që jetojnë në jug të lumit Ibër thonë se nuk janë të frikësuar nga arrestimet që kryejnë institucionet e Kosovës dhe se nuk iu “interesojnë” listat eventuale, pasi, siç thonë ata, “janë të sigurt se nuk kanë asgjë për të fshehur”.

Në Graçanicë pohojnë se kanë më shumë frikë se mund të arrestohen padrejtësisht, mbi bazën e akuzave për krime lufte.

“Unë e di që zemra ime është e pastër dhe se duart e mia janë të pastra. Nuk më intereson se çfarë do të bëjë Policia e Kosovës. Nuk jam i frikësuar nga asgjë, sepse nuk e kam prekur askënd”, thotë Nebojsha Mirkoviq.

Sikur ai deklarohet edhe Ljubisha Niçiq. "Unë e di që nuk jam fajtor për asgjë. S’kam pse të frikohem", shprehet ai.

Çfarë tha Kurti?

Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, ka deklaruar se institucionet e sigurisë kanë identifikuar me sukses gjithsej 45 persona, që, sipas tyre, kanë marrë pjesë në sulmet kundër ushtarëve të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë - KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që nga ngritja e tensioneve në veriun e Kosovës.

Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.

“[Ata] njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës deri te shok bombat dhe plumbat, qofshin ato edhe të automatikëve ose të revolverëve”, pohoi Kurti më 3 korrik.
Kur përmendi këta 45 persona, Kurti tha se kjo nuk ka të bëjë me popullsinë serbe, pasi, siç deklaroi ai, “popullsia atje është paqësore”.

“Qytetarët serbë janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve”, deklaroi Kurti.

Por, qëndrimin e kryeministrit Kurti, politikani opozitar serb nga Graçanica, Branimir Stojanoviq, e sheh si “instrument” për të ushtruar presion ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.

“Kur dikush mund të të arrestojë arbitrarisht, në bazë të një fotoje nga një protestë, pavarësisht të gjitha rregullave dhe procedurave, të urdhërosh paraburgim, të vendosësh politikisht se kush shkon në burg dhe kush jo, kur dikush i thotë Kuvendit emrat e njerëzve për të cilët tashmë praktikisht është vendosur se janë fajtorë pa asnjë procedurë [gjyqësore], në një situatë të tillë të gjithë kanë frikë se do të jenë të radhës”, thotë Stojanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se, pikërisht për shkak të listave të supozuara të arrestimit të serbëve, një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb vendosin të largohen nga Kosova, gjë që, sipas tij, është “pasojë fatale”.

E, Oliver Vujoviq nga Forumi Joqeveritar për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik, me bazë në Graçanicë, vlerëson se pjesëtarët e komunitetit serb në veri dhe në jug të Ibrit u frikësohen “fletarrestimeve të supozuara” që po qarkullojnë, sepse, sipas tij, ata pyesin veten se, "kush është në radhë?".

Vujoviq beson se tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe arrestimet ndikojnë në largimin e serbëve, por edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe në një “ndarje” më të madhe mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Sado që organizatat e shoqërisë civile, të cilat merren me proceset e pajtimit dhe demokratizimit, përpiqen të bëjnë diçka, e gjithë kjo po na kthen prapa, nuk ka përparim. Kemi 20 vjet që ngecim, ende ‘kemi urrejtje ose frikësohemi’ nga njëri-tjetri”, tha Vujoviq për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 6 korrik se autoritetet e Kosovës dyshohet se kanë marrë një vendim, një vit më parë, për të "arrestuar, vrarë ose dëbuar çdo serb që mund të ishte pikë rezistence në çfarëdo mënyre".

“Aksioni i pogromit apo persekutimit, i kryer nga regjimi i Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi, është i organizuar mirë, i planifikuar dhe i mbështetur në thelb nga qarqe të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Vuçiq, pavarësisht se nuk paraqiti ndonjë provë për këto pretendime.

Çfarë janë listat dhe ku po qarkullojnë ato?

Institucionet e Kosovës, të paktën zyrtarisht, deri më tani nuk kanë publikuar ndonjë listë me emrat e personave, të cilët dyshohet se kanë shkaktuar dhunë në pjesën veriore të Kosovës, më 26 si dhe më 29 qershor, kur u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, dy prej të cilëve me armë zjarri.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Kurti, ka lexuar në Kuvendin e Kosovës emrat e serbëve, për të cilët pretendoi se qëndronin pas trazirave në veri, ndërsa disa prej tyre u arrestuan.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e ka cilësuar këtë lexim publik të emrave si “vizatim i një shenje”.

Pavarësisht se opinioni publik ende nuk ka parë ndonjë listë zyrtare me emrat e të dyshuarve, serbët dhe përfaqësuesit e tyre politikë insistojnë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi krijon lista të tilla.

Por, në të njëjtën kohë, institucionet e Kosovës kanë vazhduar arrestimin e serbëve të dyshuar për shkaktimin e dhunës në pjesën veriore të Kosovës.

Disa u arrestuan për sulm ndaj institucioneve të sigurisë, të tjerë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it, por edhe për sulme ndaj gazetarëve.

Në platformën Telegram, në grupet “Bunt je stanje duha” [shqip: Rebelimi është gjendje shpirtërore] që ka rreth 90 mijë anëtarë, si dhe “Patriotizam” [shqip: Patriotizmi], ditëve të kaluara janë shpërndarë disa lista me fotografi të turbulluara, ku pretendohej se ishin emrat e serbëve që pritej të arrestoheshin.

Shumë prej këtyre listave janë të rrejshme.

Lista e vitit 2016, më 45 personat më të kërkuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit - EUROPOL.
Lista e vitit 2016, më 45 personat më të kërkuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit - EUROPOL.

Në disa raste, lista e mësipërme është publikuar e turbullt edhe në grupet “Rebelimi është gjendje shpirtërore” si dhe “Patriotizmi”.

“Patriotizmi” është emërtim i ri i grupit “Brigada e Veriut”. Ky grup ndërroi emrin e tij, pasi Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste, sikurse edhe grupin “Mbrojtja Civile”.


Radio Evropa e Lirë ka verifikuar listën dhe ka gjetur se personat që janë në këtë listë kanë qenë në kërkim nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit - EUROPOL, në vitin 2016. Një listë e njëjtë përditësohet rregullisht edhe sot, në ueb-faqen “Më të kërkuarit e Evropës”, eumostwanted.eu.

Një rezultat tjetër çon tek një “cicërimë” në rrjetin social Twitter, nga Xhandarmeria e Francës, ku shihen personat.


Lista përfshin disa kriminelë, të njohur si të dyshuarit për sulmet terroriste në Paris, në vitin 2015, Salah Abdeslam dhe Mohammed Abrini, si dhe shefin e organizatës mafioze Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro.

Kjo listë rezulton se është manipuluar në disa raste, duke ndërruar pozitën e vendndodhjes së fotografive, e po ashtu duke shtuar e hequr ndonjërin nga lista.

Lista e publikuar nga grupi "Patriotizëm" në Telegram, ku thuhet se janë 45 personat që Kosova ka thënë se i ka identifikuar si pjesëmarrës në sulmet kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që nga ngritja e tensioneve në veriun e Kosovës.
Lista e publikuar nga grupi "Patriotizëm" në Telegram, ku thuhet se janë 45 personat që Kosova ka thënë se i ka identifikuar si pjesëmarrës në sulmet kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që nga ngritja e tensioneve në veriun e Kosovës.

Kërcënimi i serbëve me listat e “spiunëve të Kosovës”

Në të paktën tri raste janë publikuar tri lista në Telegram, ku personat që fshihen prapa publikimit pretendojnë se kanë identifikuar dhe se kanë fotografi të agjentëve sekretë të Kosovës, të bashkëpunëtorëve të tyre si dhe të automjeteve dhe të targave që ata i përdorin në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Lista e publikuar më 3 korrik, në grupin “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, në Telegram.
Lista e publikuar më 3 korrik, në grupin “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, në Telegram.

Në përshkrimin e kësaj liste, të publikuar në grupin “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, në Telegram, thuhet se në të janë emrat, mbiemrat dhe fotografitë e spiunëve shqiptarë.

“Listat i publikojmë të turbullta, sepse nuk do t'i ndihmonte në asnjë mënyrë popullit tonë nëse publikohen të gjithë emrat, të gjitha fytyrat, të gjitha makinat dhe të gjitha targat, sepse ata [agjentët] vetëm do të zëvendësoheshin - do të dërgonin agjentë tjerë, makina tjera, dhe do të përdornin targa tjera. Ne e publikojmë këtë tani, vetëm për t'u treguar atyre se nuk kemi pse të shpikim lista false, sepse ka lista të vërteta”, thuhet në përshkrimin e kësaj liste, të publikuar më 3 korrik.

Verifikimi i këtyre listave të turbullta ishte i pamundur të bëhej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, për shkak të paqartësisë së fotografisë.
Një listë tjetër, që përmban vetëm emra, përfshirë ata të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, ka qarkulluar, po ashtu, nëpër rrjete sociale, dhe në disa media në gjuhën serbe.

Mes të tjerëve, aty ishte edhe emri i ish-kryetarit të Mitrovicës së Veriut, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës rreth këtyre listave, dhe rreth hetimit të tyre, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, MPB-ja nuk është përgjigjur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG