Kurti: Vuçiq u pendua që i tha 'po' Marrëveshjes së Brukselit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është penduar që i ka thënë 'po' Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “e di që është e mirë për Kosovën dhe refuzon ta nënshkruajë”.
Ai e cilësoi situatën në veri të Kosovës si “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele, sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”
“Legjitimiteti [i kryetarëve] është i vakët, mirëpo legaliteti është i plotë. Dhe, ata që na kritikojnë për legjitimitet, nuk kanë legjitimitet sepse i kanë braktisur institucionet”, tha Kurti para ligjvënësve kosovarë.
Kurti, po ashtu, tha se protestuesit në veri të Kosovës nuk kërkojnë zgjedhje të reja komunale.
“Pushteti në Kosovë mund të merret veç me zgjedhje, jo me sulme e granata”, tha ai.
Trazirat në veri: Petkoviq kritikon Kurtin për publikimin e një liste emrash
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.
“...sepse, njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.
Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë e Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.
Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”. Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.
Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve - pa u specifikuar se të kujt - dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.
Lajçak dhe Escobar në Kosovë dhe Serbi
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme, më saktësisht të hënën dhe të martën, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.
Vizita e tyre, sipas burimeve, do t'i ketë dy qëllime kryesore: uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe vazhdimin e punës për zbatimin e Marrëveshjes që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.
- Kuvendi i Kosovës diskuton për situatën në veri dhe raportet me aleatët. “Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione”, tha mes tjerash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shkarkimin e Qeverisë së kryeministrit Kurti, duke i ftuar deputetët të nisin mocion mosbesimi ndaj saj. “Mosbesim deri në pabesi nga ana e kryetarit të Qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve të sigurisë, që janë ende garanci e sigurisë sonë”, tha Haradinaj.
- Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave, për të pestën ditë me radhë.
- Protesta në mbështetje të serbëve në veri pati edhe në Graçanicë - njërën nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit.