Gërvalla: Kosovës nuk po i kërkohet “nënshtrim dhe servilitet”
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha Qeveria e Kosovës është duke vazhduar bisedimet me partnerët e saj ndërkombëtarë, të cilët tha se “synojmë t’i bindim për qëndrimet tona të drejta”
Deklarata e Gërvallës në Kuvendin e Kosovës vjen në një kohë kur Perëndimi ka rritur presionin diplomatik mbi Kosovën për të ulur tensionet në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Franca, Gjermania dhe BE-ja kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.
Ajo shtoi se SHBA-ja dhe partneret në BE nuk kërkojnë nga Kosova “nënshtrim dhe servilitet”,por presin “vendime të guximshme, marrje të përgjegjësisë, debat të hapur në shërbim të prosperitetit të Republikës së Kosovës”.
Lista Serbe: Kurti po akuzon serbë të ndershëm
Subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar ndaj fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në seancën e Kuvendit të Kosovës, publikoi disa emra për të cilët tha se ishin personat përgjegjës që shkaktuan tensione më 29 maj në Zveçan, e ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it.
Lista Serbe thotë se Kurti po akuzon pa bazë pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës “vetëm pse nuk pajtohen me shkeljen e kushteve themelore dhe të drejtat e njeriut".
“Sa farsë është gjithçka që tha Kurti sot në Kuvend dhe fakti që ai etiketoi si kriminelë dhe organizatorë protestash njerëz të nderuar, gra, invalidë, madje edhe disa që janë në spital dhe nuk kanë qenë në veri të Kosovës për javë të tëra”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Reagime të tjera për deklaratën e Kurtit:
Senatori Murphy kërkon zgjedhje të reja dhe tërheqje të policisë
Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, ka përmendur disa pika të cilat sipas tij çojnë në uljen e tensioneve në katër komunat veriore të Kosovës.
Murphy thotë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen, Serbia duhet të ndërmarrë hapa të vërtetë për t'iu dhënë fund protestave, të bëhet caktimi i zgjedhjeve të reja, të mundësohet qasja e kufizuar në ndërtesat komunale vetëm për nëpunësit civilë si dhe të respektohen marrëveshjet e mëparshme Serbi-Kosovë – përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.
- Subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar ndaj fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në seancën e Kuvendit të Kosovës, publikoi disa emra për të cilët tha se ishin personat përgjegjës që shkaktuan tensione më 29 maj në Zveçan, e ku u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it.
- Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha Qeveria e Kosovës është duke vazhduar bisedimet me partnerët e saj ndërkombëtarë, të cilët tha se “synojmë t’i bindim për qëndrimet tona të drejta”
- Kuvendi i Kosovës ka disktuar për situatën në veri dhe raportet me aleatët. “Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione”, tha mes tjerash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shkarkimin e Qeverisë së kryeministrit Kurti, duke i ftuar deputetët të nisin mocion mosbesimi ndaj saj. “Mosbesim deri në pabesi nga ana e kryetarit të Qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve të sigurisë, që janë ende garanci e sigurisë sonë”, tha Haradinaj.
- Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, grupe qytetarësh serbë vazhduan protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave, për të pestën ditë me radhë.