Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, duhet ta ndalojë mbështetjen për "bandat kriminale" nëse vërtet do paqe.
- Vuçiq u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, "kryetarët e supozuar" nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet.
- Dy udhëheqësit gjenden në Kishinjev të Moldavisë, ku po mbahet një samit evropian, në të cilin po diskutohet edhe për zhvillimet në Kosovë.
- Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti tha se do ta zvogëlonte praninë e policisë në veri të Kosovës, atëherë kur të largohen “bandat kriminale” të Serbisë.
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të ruajtur paqen.
- Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, qytetarët serbë janë duke vazhduar protestat kundër kryetarëve shqiptarë, ndonëse në numër më të vogël, krahasuar me ditët paraprake.
Sveçla: Serbët po kushtëzohen për pjesëmarrje në protesta
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se qytetarët serbë në komunat veriore janë të kushtëzuar që ta dalin në protesta e organizime të drejtuara nga subjekti politik serb, Lista Serbe.
“Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë”, ka shkruar ministri Sveçla duke iu referuar fotografive të publikuara nga Radio Evropa e Lirë në të cilat disa qytetarë serbë shihen duke u nënshkruar në një listë në qytetin e Zveçanit.
Ministri Sveçla tha se këto veprime duhet të ndalen në mënyrë që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime.
Blinken sërish kërkon veprime të përgjegjshme nga Kosova dhe Serbia
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u kërkoi krerëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që të ulin tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit evropian.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, u tha Blinken gazetarëve në Oslo të Norvegjisë.
Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që sekretari Blinken ka reaguar për tensionet në pjesën veriore të Kosovës.
Sulmohen dy qytetarë në Mitrovicë të Veriut
Policia e Kosovës ka njoftuar se dy qytetarë shqiptarë janë sulmuar në hyrje të sheshit kryesor të Mitrovicës së Veriut.
Policia thotë se viktimat janë sulmuar nga një grup të cilët kanë qenë të “maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer”.
“Si pasojë e sulmeve, dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.