Pamje nga Zubin Potoku
Një numër i vogël qytetarësh serbë janë mbledhur në mëngjesin e së enjtes së 1 qershorit në qytezën e Zubin Potokut, për të protestuar kundër kryetarit të ri shqiptar, për të katërtën ditë me radhë.
Vuçiq: Kosova t’i tërheqë “kryetarët e supozuar”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, "kryetarët e supozuar" nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.
Duke folur pas mbërritjes në një samit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, Vuçiq tha se një hap i tillë do të ishte "lëvizja më e fuqishme" për zgjidhjen e krizës.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se nuk pret takime të lehta me udhëheqësit evropianë në Moldavi.
“Është e rëndësishme që ne të përpiqemi të ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha mes tjerash presidenti serb.
Milloviq: Gjendja e serbit të plagosur është e rëndë
Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, tha se gjendja e një serbi, i cili "u plagos me armë zjarri gjatë përleshjes me pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës" në këtë qytet, "është e rëndë".
Aktualisht, shtoi ai, po konsiderohet nëse ai duhet të dërgohet në Beograd për trajtim të mëtejshëm.
"Bëhet fjalë për lëndime të rënda të legenit dhe enëve të gjakut", tha Milloviq për Radio-Televizionin e Serbisë.
Nga institucionet shëndetësore nuk ka asnjë konfirmim të këtij informacioni.
Përleshjet mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, të hënën në Zveçan, lanë dhjetëra të plagosur në të dyja anët.
Pamje nga Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku
Edhe mëngjesin e së enjtes qytetarët serbë janë mbledhur për të protestuar në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kundër kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave.