Mësueset performojnë pranë ndërtesës së komunës në Zveçan
Me rastin e 1 Qershorit - Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve - punonjëset e institucionit parashkollor në Zveçan performuan pranë ndërtesës së komunës, e cila po ruhet nga pjesëtarë të KFOR-it.
Ky institucion punon në sistemin e Serbisë.
Mësueset thanë se ishte planifikuar që fëmijët ta jepnin këtë shfaqje, por se ishte e pamundur për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë.
Borrell: Do të vazhdoj bisedimet me palët e përfshira
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përsëriti të enjten se dhuna në Kosovë duhet dënuar dhe shtoi se do të vazhdojë të flasë me palët e përfshira.
"Më duhet të insistoj se dhuna nuk është zgjidhje. Dhuna duhet dënuar. Dhe autorët e kësaj dhune duhet të mbajnë përgjegjësi", tha Borrell.
Duke folur në margjina të një samiti evropian në Moldavi, ai tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ta luajë rolin e tij në zbutjen e krizës dhe se pret që mesazhin e njëjtë t’ia përcjellë edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Borrell takoi Kurtin të mërkurën në margjina të një paneli të sigurisë në Bratisllavë, ndërsa me Vuçiqin pritet të takohet sot në Kishinjev.
Daçiq: SHBA-ja e porositi Kurtin se duhet ta formojë Asociacionin
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë më herët se si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet e marra gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Prishtina është mësuar të jetë e preferuara e Perëndimit dhe nuk është përballur me kërcënime deri më tani. Këtë që e kanë thënë amerikanët, nuk mund ta dëgjoni nga goja e evropianëve”, tha Daçiq për Televizionin Prva të Serbisë.
Siç raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta, ai vlerësoi se tensionet në veri të Kosovës janë shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të autoriteteve në Prishtinë”.
“Prandaj tani, në vend të normalizimit në Kosovë, kemi përshkallëzim të dhunës”, tha Daçiq.
Ai shtoi se zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë zgjidhje, por se tani “është më e rëndësishme të qetësohet situata”.
Daçiq tha se qëllim i Beogradit është që serbët t’i kenë të drejtat e tyre.
“Ne jemi të gatshëm ta mbrojmë popullin tonë, por shpresojmë se nuk do të ketë nevojë për këtë”, tha Daçiq.
Protestë në Mitrovicë të Jugut
Në Mitrovicë të Jugut u mblodh një grup qytetarësh shqiptarë, përkundër kërkesës së Policisë së Kosovës që të mos i përgjigjen thirrjes së postuar në mediat sociale për protestë dhe "marshim drejt veriut".
Gazetarja e Radios Evropa e Lirë në terren raporton për dhjetëra të tubuar.
Sipas saj, në mesin e tyre ka edhe qytetarë nga Shqipëria.
Disa prej tyre thanë se po protestojnë në “mbështetje të Policisë së Kosovës”.
Pjesëtarë të policisë shihen të pranishëm në vendngjarje.
Policia e Kosovës tha më herët se është vërtetuar se thirrjet për protestë të bëra në mediat sociale, vijnë nga profile të dyshimta dhe mund të jenë qëllimkëqija.
Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se thirrjet e tilla “nuk i ndihmojnë” Kosovës.