Gazetarë shqiptarë e serbë mbrojnë pronarin e kafenesë që u hapi derën
Gazetarë shqiptarë dhe serbë i dolën në mbrojtje Mlladen Peroviqit nga Zveçani, i cili gjatë trazirave në këtë qytet ua hapi derën e kafenesë së tij, por që më vonë u etiketua si “tradhtar”.
“Unë nuk e di se çfarë kam bërë për të qenë tradhtar dhe për t'u vënë në shënjestër”, tha të mërkurën Peroviq për mediat në Zveçan - komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Zveçani, prej ditësh, është në qendër të tensioneve, të cilat kulmuan më 29 maj, kur grupe protestuesish serbë u përplasën me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Në artikullin më poshtë mund t’i lexoni përjetimet e gazetarëve që kanë qenë në skenën e trazirave të hënën në Zveçan.
Vuçiq diskuton me Erdoganin për situatën në rajon
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në telefon me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe e ka uruar atë për fitoren në zgjedhje.
Në deklaratën e lëshuar nga Presidenca e Serbisë, është theksuar se Erdogan është interesuar për situatën në Kosovë, dhe se Vuçiq e ka informuar për ngjarjet.
“Ai, po ashtu, i ka kërkuar kreut turk që ta përdorë reputacionin e shtetit të tij, dhe ndikimin, ashtu që paqja dhe stabiliteti të triumfojnë në rajon”, është thënë në deklaratë.
Një muaj paraburgim ndaj dy të arrestuarve në Zveçan
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vendosur masë paraburgimi prej një muaji, dy personave me inicialet, R.P dhe D.O, të arrestuar të hënën në Zveçan.
Ata dyshohet se kane qenë pjesë e përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në atë komunë.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Avokati Dejan Vasiq ka paralajmëruar apelim të vendimit në Gjykatën e Apelit, ndonëse ka thënë se nuk ka shumë pritje.
“Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë shpjegim për vlefshmërinë e dyshimeve. Kjo është hera e parë që kam parë dikë që e bazon dyshimin në raportime të mediave, pa ndonjë dëshmi konkrete për atë që janë akuzuar”.
Macron e Scholz do të diskutojnë me Osmanin e Vuçiqin në Kishinjev
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë më 1 qershor me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Macron i ka konfirmuar këto biseda në një fjalim të mbajtur në Konferencën GLOBSEC në Bratislavë.
Takimet do të zhvillohen ndaras, në margjina të samitit Komuniteti Politik Evropian, që do të mbahet në kryeqytetin moldav, Kishinjev.
Për përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, presidenti francez ia ka hedhur gjithë përgjegjësinë autoriteteve në Prishtinë.