Hill paralajmëron se Prishtina do të përballet me pasoja
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Kosova do të përballet me pasoja, për shkak të veprimeve të Qeverisë.
“Ne ia kemi bërë shumë të qartë Prishtinës se ne i kundërshtojmë veprimet e Qeverisë Kurti. Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, ka qenë, po ashtu, shumë i qartë se do të ketë pasoja në marrëdhëniet me Prishtinën”, ka thënë Hill para gazetarëve në Beograd.
Ambasadori amerikan ka paralajmëruar se nuk duhet humbur fokusin, duke pasur referencë dialogun e Brukselit, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe synimet e rajonit për integrime evropiane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka bërë thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai e ka përsëritur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.
Tensionohet situata në Zveçan, zvogëlohet numri i protestuesve në Leposaviq
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se në orën e fundit vërehet tensionim i situatës në këtë qytet.
Sipas ekipit të REL-it, në një moment, protestuesit në Zveçan e kanë kundërshtuar kalimin e një veture të Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë e ka nisur protestën para objektit komunal, prej mëngjesit.
Ekipi tjetër i Radios Evropa e Lirë në Leposaviq raporton se ka nisur të zvogëlohet numri i protestuesve serbë në këtë komunë.
Protestuesit janë mbledhur para objektit të komunës, prej orës 07:00.
Situata aktuale është e qetë, ashtu sikurse në komunën e Zubin Potokut.
Rakiq i kërkon KFOR-it të vendosë forca në rrugët e Zveçanit
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka kërkuar nga KFOR-i që të vendosë forcat e tij në rrugët e Zveçanit, në mënyrë që “Policia e Kosovës të mos afrohet dhe të ngrejë tensione”.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Si i komentojnë qytetarët në Prishtinë e Beograd trazirat në veri?
Trazirat në veri të Kosovës shpërfaqën reagime të ndryshme të qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë dhe në Beograd. Disa i mbështesin veprimet e Qeverisë së Kosovës, disa thonë se Serbia “i ka braktisur” serbët në veri e të tjerë bëjnë fajtor Perëndimin.