Komiteti Olimpik i Kosovës kërkon procedura disiplinore kundër Gjokoviqit
Autoritetet olimpike të Kosovës kërkuan nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar që të hapë procedura disiplinore kundër tenistit serb, Novak Gjokoviq, për, siç thanë, nxitje të tensioneve politike me deklaratën e tij se “Kosova është zemra e Serbisë”, të bërë në turneun French Open.
Gjokoviq e shkroi mesazhin në një objektiv kamere pas fitores së tij në rundin e parë, të hënën.
Në këtë ditë, 30 trupa paqeruajtëse të NATO-s u lënduan në përleshjet me protestuesit serbë në qytetin Zveçan - pjesa veriore e Kosovës.
Autoritetet serbe thanë se 52 protestues u lënduan në përleshje.
Dhuna shpërtheu pasi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, morën detyrën.
Gjokoviq tha se është kundër çdo lloji të konfliktit, por mbrojti deklaratën e tij, ndërsa situatën në Kosovë e përshkroi si “precedent”.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se “Gjokoviq ka promovuar sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë”, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
“Deklaratat e mëtejshme, pas ndeshjes, të bëra nga një personazh i tillë publik, pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tensioneve dhe dhunës midis dy vendeve”, tha Krasniqi.
Sipas tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet ta hetojë rastin, duke hapur procedura disiplinore kundër sportistit.
Ministrja e Sportit e Francës, Amelie Oudea-Castera, vendi i së cilës do t’i organizojë Lojërat Olimpike verore në Paris, vitin e ardhshëm, tha se mesazhi i Gjokoviqit ishte qartazi "i pavend”.
“Ekziston një parim i neutralitetit për fushën e lojës. Kur keni mesazhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mesazhe që i bashkojnë njerëzit rreth vlerave universale, një person sportiv është i lirë t'i shprehë ato”, tha Oudea-Castera për televizionin francez.
“Por, në këtë rast, ishte një mesazh shumë aktivist, shumë politik. Nuk duhet të përfshiheni, sidomos në rrethanat aktuale, dhe nuk duhet të përsëritet më”, shtoi ajo.
Gjokoviq tha se nuk zmbrapset dhe se të njëjtën do ta bënte sërish.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk ka dalë ende me ndonjë koment.
Të martën, Federata e Tenisit e Kosovës tha se komentet e Gjokoviqit janë për “keqardhje.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri përgjegjëse autoritetet e Kosovës për trazirat në veri të vendit, të cilat, siç tha, janë rritur ndjeshëm, prej se kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe.
- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti sërish veprimet e policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë, përkundër rezistencës së banorëve serbë lokalë.
- Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se SHBA-ja mbetet mike e pazëvendësueshme e Kosovës, ndërsa përjashtimin e Kosovës nga stërvitjet “Defender Europe ‘23” e cilësoi si “fatkeqësi”.
- Në Serbi, ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, arriti në garnizonin e Rashkës - afër kufirit me Kosovën - ku është vendosur një pjesë e ushtrisë së Serbisë.
- Protestat e qytetarëve serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq janë duke vazhduar për të tretën ditë me radhë. Gazetarët e REL-it në këto komuna thonë se është qetë.
Borrell: Situata në veri, e rrezikshme dhe e paqëndrueshme
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se situata aktuale në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.
Ai i ka bërë këto deklarata, pas takimit që e ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratisllavë.
“Kemi nevojë urgjente për ulje të tensioneve dhe zgjidhje mes dialogut, për t’iu kthyer punës drejt zbatimit të Marrëveshjes së arritur”, ka thënë Borrell, duke iu referuar paktit mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.
Palët janë darkorduar për këtë Marrëveshje në shkurt, në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars të Maqedoni të Veriut.
ASHAK: Serbia mbetet faktor destabilizues në Ballkan
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka shprehur brengë për situatën e krijuar në veri të vendit duke thënë se ajo është rezultat i “politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti [Aleksandar] Vuçiq”.
Përmes një komunikate të lëshuar për media, ASHAK ka thënë se Serbia mbetet faktor destabilizues në rajon dhe i ka dënuar aktet e dhunës në veri të vendit, si pasojë e të cilave janë plagosur 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
“Ne mbështesim fuqishëm aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin dhe aleatët e saj natyrorë, të përcaktuar për anën e drejtë të historisë”, është thënë mes tjerash në komunikatë.
Hollësitë shtesë i gjeni këtu.