Ish-kryetari i Zveçanit: Nuk ka struktura kriminale në protesta
Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, u tha gazetarëve se në mesin e protestuesve serbë atje “nuk ka struktura të organizuara, nuk ka banda të organizuara kriminale, pjesëtarë të të ashtuquajturit grup Wagner, apo të rinj që - siç thotë Prishtina - duan të djegin çdo gjë që nuk është serbe”.
“Këtu janë qytetarët e Komunës sonë të Zveçanit, vëllezërit nga Mitrovica e Veriut”, tha Milloviq, pas akuzave të autoriteteve të Kosovës se “strukturat e organizuara kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi zyrtar, janë përgjegjëse për trazirat në veri.
Ai tha se këto protesta nuk janë kundër KFOR-it dhe se i vjen keq për, siç tha, “konfliktin e imponuar” dhe “për atë që ndodhi”.
Shikoni pamjet në Zveçan nga 29 maji:
Milloviq tha se protesta po zhvillohet kundër “pushtimit brutal të objektit të Komunës së Zveçanit”.
"A e ka ditur KFOR-i? A ka ndihmuar? Ne po kërkojmë përgjigje për këtë. Kërkesat e vetme janë që njësitet speciale me tuba të gjatë të largohen dhe të largohen nga ndërtesa e Komunës së Zveçanit".
Sipas tij, kryetarët shqiptarë janë “të papranueshëm dhe jo të mirëpritur”.
Kurti në Bratisllavë, takon Borrellin e Lajçakun
Qeveria e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Albin Kurti po merr pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se, në mesin e aktiviteteve, Kurti do të takojë edhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha Kryeziu.
Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.
Vuçiq, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.
Kurti: Policia jonë po bën punë profesionale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
"Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë", tha Kurti në një adresim nga Bratisllava.
Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë "është i papranueshëm".
"Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta", tha po ashtu Kurti.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Kurti: Nuk mund t'iu them kryetarëve të kalojnë në zyra të tjera
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t'i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.
Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t'i ulte tensionet.
"Nëse tani do t'i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t'i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele", tha Kurti, duke iu referuar strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.
"Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t'iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë", tha Kurti gjatë një adresimi nga Bratisllava, ku po merr pjesë në një forum për sigurinë.