Dita e tretë e protestave në Zveçan
Dhjetëra protestues serbë që kundërshtojnë kryetarin e ri shqiptar janë mbledhur për të tretën ditë me radhë para objektit komunal në Zveçan, ku paqeruajtësit e KFOR-it kanë ngritur tela gjemborë.
Situatë e qetë në Leposaviq
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Leposaviq raportojnë për rreth 100 protestues të tubuar para objektit komunal.
Sipas tyre, situata është e qetë, ndërsa të pranishëm janë edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it.
Pse SHBA-ja e ndëshkoi Kosovën?
SHBA-ja ndërmori masa kundër Kosovës për injorimin e këshillave të saj për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Ajo e kritikoi Qeverinë e Kosovës për instalimin e kryetarëve shqiptarë në veri “me mjete të dhunshme”.
Për pasojë, Kosova u përjashtua nga pjesëmarrja në një stërvitje ushtarake, të udhëhequr nga Amerika në Evropë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja po shqyrton edhe masa të tjera dhe se, aktualisht, “nuk ka entuziazëm” për ta ndihmuar Kosovën në përpjekjet e saj për të fituar njohje më të madhe ndërkombëtare ose për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, shkëmbyen akuza për skenat e dhunshme në Zveçan, ku përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it rezultuan me dhjetëra të plagosur në të dyja anët.
Kurti tha se protestuesit në Zveçan vepruan nën udhëzimet e Beogradit zyrtar. Vuçiq tha se Kurti është vetë përgjegjës për trazirat.
Kurti në Bratisllavë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjendet në Bratisllavë, ku po zhvillon punimet një forum për sigurinë.
Pamjet e tij në rrjetet sociale i publikoi Instituti sllovak, GLOBSEC, i cili po organizon forumin.
Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.
Të dy liderët ishin të ftuar në forumin e sigurisë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Vuçiq, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.
REL-i po përpiqet të marrë informacione nga zyrtarët evropianë nëse takimi Kurti-Vuçiq në Bratisllavë ka ende gjasa.