Stoltenberg: Dhuna i rrezikon aspiratat euro-atlantike
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700, numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.
Në një konferencë për media me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, ai i ka dënuar sulmet që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të hënën në veri të Kosovës, dhe ka thënë se ato janë të “papranueshme”.
“Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”.
Sipas Stoltenbergut, dhuna është duke e kthyer mbrapa Kosovën dhe gjithë rajonin, si dhe i vë në rrezik aspiratat euro-atlantike.
“Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkretë për ulje të tensioneve, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja, si rrugë e vetme për paqe afatgjatë”.
Kurti: Kryetarët e rinj, të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesa të komunave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – me shumicë serbe – e kanë mbështetjen e plotë të ekzekutivit.
Sipas Kurtit, ata “janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve”.
“Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”.
Sa u përket përleshjeve të së hënës në Zveçan, mes forcave të KFOR-it dhe protestuesve serbë – të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale - Kurti ka thënë se “nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”.
“Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq”.
Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke komunikuar me partnerët ndërkombëtarë, dhe se të gjitha palët e synojnë qetësimin e situatës.
Përveç Zveçanit, protesta janë mbajtur edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok.
Faktori ndërkombëtar është duke bërë thirrje për shtensionim sa më të shpejtë të situatës.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për të.
Ai i është referur vendimit të Qeverisë së Kosovës për t'i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që ka rezultuar në dhunë.
Policia: Do të hetohet pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës
Policia e Kosovës ka thënë se do të hetohen rastet e pengimit të gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre në komunat në veri të vendit: Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Ky institucion e ka vënë theksin te disa sulme me gjësende të ndryshme, nga ana e protestuesve, drejt gazetarëve, sidomos në Leposaviq.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se situata në veri të martën ka qenë e brishtë, “por kryesisht e qetë”.
Policia ka thënë se protestat e serbëve lokalë kanë përfunduar në Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa në Leposaviq vazhdojnë të qëndrojnë disa protestues, para ndërtesës komunale.
PDK: Qeveria e Kosovës të ndryshojë qasjen
Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rimendojë qasjen e saj dhe të mos përkeqësojë marrëdhëniet me vendet partnere.
Kjo parti opozitare ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer për, siç ka thënë ajo, “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës”, të cilat, sipas saj, kanë rezultuar me “ndëshkime të drejtpërdrejta”, duke e përmendur vendimin e Shteteve të Bashkuara që Kosova të mos marrë pjesë në stërvitjet ndërkombëtare “Defender Europe 2023”.
“Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”.
PDK-ja, mes tjerash, ka kërkuar nga Qeveria dhe Presidenca që të mbledhin Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës vlerëson se situata e krijuar kërkon qasje të përgjegjshme të institucioneve të Kosovës e jo veprime populiste të momentit që mund të sjellin pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit”.
Reagimet tjera të partive opozitare në Kosovë i gjeni këtu.