Maliqi: Qasja e Kosovës e ka dëmtuar vendin në raport me partnerë
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, duke e komentuar situatën aktuale në veri të Kosovës, ka thënë se Prishtina, formalisht dhe ligjërisht është në të drejtën e saj, “por situata e krijuar u ka dhënë hapësirë rrymave radikale ekstreme, apo edhe elementeve pro-ruse për të shkaktuar destabilizim edhe më të madh, që është shqetësim i partnerëve të Kosovës”.
Maliqi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka qenë e pritshme që përcjellja e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – do të prodhonte reagime.
“Tani jemi në një situatë ku forcat e NATO-s janë zënë në një lloj sandviçi, në mbrojtje të institucioneve të Kosovës, dhe të sulmuara prej grupeve të organizuara serbe, me mundësinë shumë reale që të ketë edhe viktima në njerëz, dhe të përshkallëzojë situata në diçka thellësisht të paparashikueshme ose në eskalim më serioz”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, qasja e Kosovës e ka dëmtuar vendin në raport me partnerët, dhe nuk ndihmon në hapat vijues të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pra të paktën prej jashtë, qasja e Kosovës shihet si problematike dhe do të vijohet me pasoja për Kosovën dhe natyrisht edhe për Serbinë”.
Ndërkohë si zgjidhje për situatën, ai thotë se është e nevojshme të gjendet një rrugëdalje e përbashkët me KFOR-in, dhe të krijohet një situatë, në të cilën kryetarët e komunave formalisht mund ta vazhdojnë punën e tyre, “por në kontekst ku shtensionohet situata e sigurisë”.
“Paralelisht me këtë, Policia e Kosovës, bashkë me KFOR-in, duhet edhe t’i identifikojnë grupet të cilat kanë ushtruar dhunë të paprovokuar ndaj policisë, por edhe forcave të KFOR-it, sepse kjo sjellje gjithsesi nuk mund të tolerohet”, ka thënë Maliqi.
Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të martën të përditshmes britanike Guardian se, dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë".
Ai u është referuar përleshjeve në mes të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat e banuara me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nëpër ndërtesat komunale.
Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri, ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.
Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.
Të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.
Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.
“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.
“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.
Prej asaj deklarate, Kurti ka thënë se ka folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai ka thënë se Escobar u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë – kërkesë që ai e ka refuzuar.
“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom (platformë online për takime), ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për të.
Më shumë hollësi për reagimin e SHBA-së, gjeni këtu.
Borrell mirëpret rritjen e numrit të trupave të KFOR-it
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur vendimin e NATO-s për angazhim të 700 trupave shtesë, në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR.
“Ne do ta vazhdojmë koordinimin e ngushtë dhe bashkëpunimin me KFOR-in, përfshirë përmes misioit tonë EULEX”, ka thënë ai, duke iu referuar Misionit të bllokut evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit.
“Qetësia duhet të rikthehet”.
Të nderuar lexues,
Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Do të rikthehemi sërish në mëngjesin e së mërkurës.
Faleminderit që ishit me ne!