Hovenier dënon sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it
Përgjatë bisedës me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se është i shqetësuar për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it në veri, dhe i dënon sulmet ndaj tyre.
“Por kjo nuk e mohon faktin që arsye se pse ushtarët kanë qenë aty, për ta ruajtur paqen në atë skenar, ka qenë vendimi i marrë nga Kurti për të tentuar që të sigurojë qasje në tri ndërtesat komunale, përmes forcës. Ky është vendimi që duhet të adresohet sa u përket uljes të tensioneve, dhe ne po kërkojmë diçka të tillë”.
Sipas Hovenierit, ulja e tensioneve në veri ka prioritet, e më pas zbatimi i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë në tërësi. Diçka e tillë është zgjidhje për veriun. Kjo është një prej arsyeve pse ne i kërkojmë Qeverisë që me urgjencë të ecë përpara në procesin e negociatave për Asociacionin, i cili do të ndihmojë për shumë aspekte që ekzistojnë në veri”.
Hovenier i ka treguar Kurtit “sa serioze është situata”
Ambasadori amerikan, Hovenier, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sa serioze e konsideron situatën në veri.
“Ne jemi këtu, së bashku, që unë të theksoj sa serioze është situata, dhe i kam thënë edhe kryeministrit sa serioze është”.
Deklaratat tjera të ambasadorit, i gjeni në linkun më poshtë:
LDK: Kosova ndodhet në pozicion të rëndë diplomatik e strategjik
Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t'i ndërprerë me Prishtinën stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender 23”, që kanë qenë duke u mbajtur edhe në Kosovë, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se “Qeveria po bie në grackën e Serbisë”.
“Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vetë NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë, Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Hollësitë tjera lidhur me reagimin i gjeni këtu.
Shpërndahen protestuesit në Zveçan
Në Zveçan, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka përfunduar protesta e serbëve lokalë kundër kryetarit të ri shqiptar. Një zyrtar i Listës Serbe u kishte kërkuar më herët qytetarëve të tubuar që të shpërndaheshin, duke i ftuar për një protestë të re të mërkurën.