Vuçiq nuk shkon në Bratisllavë, viziton trupat e dislokuara afër kufirit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse “është më e rëndësishme për të që të jetë me njerëzit e tij”.
Vuçiq i bëri komentet në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.
Burime të BE-së e përmendën Bratisllavën si vend të mundshëm takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ato thanë se nuk ka asgjë të konfirmuar, por se po punojnë në këtë drejtim.
Në Bratisllavë, aktualisht, po mbahet një takim për sigurinë dhe Kurti e Vuçiq kanë qenë të ftuar.
Nga kabineti i Kurtit thanë më herët për REL-in se shkuarja e tij në Bratisllavë ka qenë e planifikuar, por është shtyrë, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Përmes postimit në Instagram, Vuçiq, po ashtu, tha se do t’i vizitojë ushtarët e dislokuar serbë në pozicione pranë kufirit me Kosovën.
Vuçiq ka dhënë urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe dhe për dislokimin e trupave më pranë kufirit, pasi Qeveria e Kosovës, javën e kaluar, ka instaluar kryetarët e rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Ky veprim ka nxitur protesta në veri të Kosovës.
Daçiq bën thirrje për “mbrojtjen e popullit serb në Kosovë”
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se “të gjithë duhet të bashkohen rreth mbrojtjes së popullit serb” në Kosovë.
Sipas tij, çështjet e brendshme politike nuk duhet të ndikojnë në gatishmërinë e Serbisë "për të mbrojtur popullin e saj".
"Duhet të bëjmë gjithçka për të ndihmuar mbijetesën e popullit tonë në Kosovë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se do të kalojmë nëpër beteja të vështira, politike dhe të sigurisë", tha Daçiq për televizionin Pink të Beogradit.
Shefi i diplomacisë serbe vlerësoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk do normalizim, por përshkallëzim dhe konflikt” dhe se qëllimi i tij është “t’i dëbojë serbët nga Kosova”.
Daçiq nuk solli ndonjë provë për këto pretendime.
Paçarizi: Situata në veri, për "keqardhje”
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, e ka cilësuar për “keqardhje” situatën në veri të Kosovës.
Duke i komentuar përleshjet e 29 majit në Zveçan, mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të NATO-s në Kosovë, KFOR, Paçarizi ka thënë se zyrtarët e Kosovës kanë qenë të përmbajtur në reagime, në krahasim me zyrtarët serbë, që sipas tij, “në vazhdimësi kanë hedhur benzinë në zjarr, dhe mezi kanë pritur që situata të përshkallëzonte tutje”.
“Do me thënë, sjellja e djeshme e Qeverisë së Kosovës ishte e përgjegjshme, mirëpo veprimet paraprake, sidomos moskoordinimi i duhur me Shtetet e Bashkuara, por edhe me vendet e QUINT-it, mendoj që janë për keqardhje,” ka thënë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, refuzimi i kryetarëve të komunave veriore nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, të hënën, ka qenë vendim i papjekur, duke shtuar se Qeveria e Kosovës, por edhe aktorë të tjerë të ngjarjeve në veri, duhet të jenë në sinkron me aleatët ndërkombëtarë.
“…apo së paku mes vete, në mënyrë që të mos kemi situata të tilla kur kryetarët nga një partie shkojnë në vendet e tyre të punës në ndërtesat e komunës, ndërkaq ata nga një parti tjetër eventuale nuk shkojnë”, ka deklaruar Paçarizi.
“Duhet bërë përpjekje që të gjendet një zgjidhje, e cila është më pak e keqe. Nuk flitet më për zgjidhje më të mira, por për zgjidhje më pak të këqija”, ka shtuar mes tjerash ai.
AGK raporton për disa sulme ndaj gazetarëve në veri
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se disa gazetarë, që po përcjellin ngjarjet në veri, kanë cak i një morie sulmeve.
AGK-ja ka thënë se persona të maskuar kanë sulmuar gazetarë të mediave të ndryshme në Leposaviq dhe njërit medium i është thyer kamera.
Po ashtu, në këtë komunë, sipas organizatës, gazetarët janë sulmuar edhe me gjësende të forta nga protestuesit serbë.
“Në një transmetim direkt të mediave, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetarët e RTV Dukagjinit, Kohës dhe mediave të tjera të raportonin drejtpërdrejt nga kjo komunë”, është thënë në deklaratë.
Lajmin e plotë e gjeni këtu.