NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë
Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.
NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter.
Pjesëtarë të KFOR-it janë përleshur të hënën, 29 maj, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën komunale.
Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë, ashtu që KFOR-I të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.
Admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.
“Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, ka thënë Munsch.
Lista Serbe, thirrje protestuesve në Zveçan: Shpërndahuni rreth orës 16:00
Sërgjan Millosavleviq, nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, u ka bërë thirrje protestuesve në Zveçan, që të shpërndahen rreth orës 16:00, dhe të mblidhen sërish nëser në protestë paqësore.
Millosavleiq, ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, ka thënë se protestat e komunitetit serb do të vazhdojnë, derisa të përmbushen kërkesat e tij, përkatësisht tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, ashtu si edhe kryetarëve shqiptarë.
Lista Serbe ka kërkuar më herët që të lirohen edhe protestuesit e arrestuar një ditë më parë gjatë një përplasjeje me ushtarët e KFOR-it.
Petkoviq: Incidentet e 29 majit do të parandaloheshin nëse KFOR-i do ta përmbushte mandatin paraprakisht
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe - duhet të largohen nga ndërtesat komunale, dhe se Policia e Kosovës duhet të largohet nga veriu i Kosovës.
Sipas një deklarate për media, Petkoviq i ka bërë këto deklarata të takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Anke Konrad dhe Pierre Cochard.
Petkoviq, ka thënë, po ashtu, se incidentet e 29 majit do të mund të parandaloheshin nëse KFOR-i “do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale”, duke iu referuar njësiteve të Policisë së Kosovës.
“Serbët janë të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të jetuar dhe mbijetuar në Kosovë, dhe Serbia e Beogradi do të vazhdojnë të jenë në mbrojtje të tyre, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e provincës dhe rajonit”, ka thënë mes tjerash Petkoviq.
Përfundon protesta në Zubin Potok
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok raportojnë se ka përfunduar protesta e serbëve lokalë në këtë komunë.
Fotoja më poshtë e ilustron si duket kjo komunë rreth orës 15:00 të së martës.