Stano: Të dyja palët përgjegjëse për dhunën
Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se dhuna në veri të Kosovës "ka ardhur nga të dyja palët", duke iu referuar Kosovës dhe Serbisë.
Nga përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, mbetën 35 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe më shumë se 50 protestues.
"Eskalimin e shohim që nga e premtja, prandaj edhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph] Borrell dhe vendet anëtare [të BE-së] e kanë dënuar dhunën dhe kanë ftuar për uljen e tensioneve. U kanë thënë të dyja palëve", tha Stano për gazetarët në Bruksel.
"Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve, për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët", shtoi ai.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të thotë kjo situatë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka dështuar, Stano tha: "Jo, dialogu vazhdon, përpjekjet madje janë shtuar dhe dialogu është më i rëndësishëm se kurrë".
Kina shpreh mbështetje për Serbinë
Kina shprehu mbështetjen e saj për përpjekjet e Serbisë “për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, pas përleshjeve mes protestuesve serbë në Zveçan dhe trupave paqeruajtëse të NATO-s.
Partia në pushtet, Partia Komuniste, është prej kohësh kritike e aleancës së NATO-s.
Mospajtimet me të burojnë pjesërisht nga bombardimi i Ambasadës kineze në Beograd, gjatë fushatës ajrore të aleancës më 1999, që i dha fund luftës në Kosovë.
"Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, duke iu referuar Qeverisë së Kosovës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.
Borrell: Kosova t'i pezullojë operacionet e policisë rreth komunave në veri
Kosova duhet t'i pezullojë operacionet e policisë së saj rreth ndërtesave të komunave në veri të vendit, si hap i parë për uljen e tensioneve, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
"Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës, që e kemi parë ditëve të fundit. Aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme", tha Borrell për gazetarët në Bruksel.
"Ne, si BE, qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit, në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë", shtoi ai.
Borrell tha se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se i ka ftuar ata që "ta qetësojnë situatën menjëherë dhe pa kushte".
Ai, po ashtu, tha se BE-ja pret që palët të angazhohen në dialog dhe ta hapin rrugën për zbatimin e Marrëveshjes drejt normnalizimit të marrëdhënieve.
Lista Serbe përsërit kërkesat e njëjta: “U qëndrojmë atyre”
Sërgjan Millosavleviq, nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, u tha qytetarëve të mbledhur në Zveçan se kërkesat e komunitetit serb në këtë zonë, nuk kanë ndryshuar.
Ai kujtoi se kërkesat lidhen me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, si dhe me moshyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave atje.
“Ne u qëndrojmë këtyre kërkesave”, si kusht për ndaljen e protestave, tha Millosavleviq, ish-kryetar i Kuvendit Komunal të Zveçanit.
Millosavleviq, po ashtu, tha se komuniteti serb kërkon lirimin e dy qytetarëve serbë, Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të arrestuar gjatë dhunës së një dite më herët.
“Nëse nuk lirohen, le të mblidhemi në të gjitha komunat në numër edhe më të madh se dje dhe, në mënyrë paqësore, ta shprehim pakënaqësinë tonë për situatën”, tha Millosavleviq.