Përpjekje për të organizuar një takim mes Kurtit e Vuçiqit
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje të organizojë një takim ‘ad hoc’ mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bratisllavë, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.
Sipas tyre, “kjo është ende një ide dhe një përpjekje” dhe “nuk ka konfirmime nga palët nëse janë apo jo të gatshme për një takim të tillë”.
Bratisllava është përmendur si vend i mundshëm për takim, pasi dy udhëheqësit janë të ftuar të marrin pjesë në një konferencë për sigurinë globale që po zhvillohet në këtë vend.
Radio Evropa e Lirë po përpiqet të marrë koment edhe nga Qeveria e Kurtit.
Vazhdoni të na ndiqni!
Tre ushtarë të KFOR-it, “të plagosur me armë zjarri”
Tre ushtarë hungarezë të KFOR-it janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit” gjatë përplasjeve me protestuesit serbë, të hënën në Zveçan, bëri të ditur misioni paqeruajtës i NATO-s.
Në njoftimin dërguar mediave thuhet se tre ushtarët “nuk kanë plagë vdekjeprurëse”.
Në përleshjet e një dite më parë u plagosën gjithsej 30 ushtarë të KFOR-it: 19 hungarezë dhe 11 italianë.
KFOR-i tha se dhuna e së hënës në Zveçan ishte e “paprovokuar”.
Qeveria: Shkuarja e Kurtit në Bratisllavë ishte e planifikuar, por u shty
Nga Qeveria e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se shkuarja e kryeministrit Albin Kurti në Bratisllavë, ku po mbahet një samit për sigurinë, ka qenë e planifikuar, por është shtyrë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit.
“Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, thanë nga Qeveria e Kosovës.
Burime të BE-së e përmendën Bratisllavën si vend të mundshëm takimi mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas burimeve, ende po punohet për këtë takim, që do të mund të realizohej nesër, por nuk ka akoma konfirmim nga asnjëra palë.
Mjekë ushtarakë nga Hungaria udhëtojnë për në Kosovë
Një ekip i mjekëve ushtarakë udhëtoi nga Hungaria për në Kosovë, për t'u kujdesur dhe kthyer në shtëpi ushtarët hungarezë të KFOR-it, që u plagosën gjatë përleshjeve në Zveçan me protestuesit serbë, raporton Shërbimi i Hungarisë i Radios Evropa e Lirë.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetën.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, njoftoi se 30 ushtarë të tij - mes tyre 19 hungarezë dhe 11 italianë - u plagosën në përleshjet e një dite më parë.
Sipas KFOR-it, tre ushtarë hungarezë janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit”, por “nuk kanë plagë vdekjeprurëse”.