KFOR-i vendoset përreth objektit të komunës në Zubin Potok
Gazetari i Radio Evropa e Lirë, Shkelqim Hysenaj, i cili ndodhet në Zubin Potok, raporton se përreth objektit të komunës atje janë vendosur edhe ushtarë të KFOR-it. Aktualisht, atje ndodhen pak qindra protestues serbë.
Të rejat e fundit nga Zveçani
Për dallim nga e hëna, kur situata në Zveçan u përshkallëzua në përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të martën është më qetë, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë në terren, Sandra Cvetkoviq.
Pjesëtarët e KFOR-it ngritën sërish kordon, por kësaj here rreth 50 metra larg ndërtesës së komunës.
Protestues që kundërshtojnë kryetarin shqiptar të komunës, u mblodhën sërish, por në numër dukshëm më të vogël.
Punëtorët e një ndërmarrjeje komunale shihen duke pastruar rrugën përballë komunës, ku një ditë më herët u dogj një veturë, u hodhën shok-bomba e gaz lotsjellës.
Të pranishëm janë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Hetemi dhe Atiq në objektet komunale
Burime të Radios Evropa e Lirë bëjnë të ditur se kryetarët e komunave Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq, gjenden në objektet e komunave përkatëse.
Siç merr vesh REL-i, kryetari i Leposaviqit ka mbetur brenda objektit të komunës që nga dita e djeshme, për "arsye sigurie".
Më shumë detaje nuk dihen.
Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me Hetemin.
Në Leposaviq, qytetarët serbë që kundërshtojnë instalimin e kryetarit shqiptar, janë duke vazhduar protestën edhe sot.
MPB-ja mohon se ka marrëveshje mes protestuesve dhe KFOR-it
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mohoi raportimet e disa mediave në Serbi se protestuesit serbë në veri të Kosovës dhe misioni i NATO-s, KFOR, kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Zveçani.
Sipas marrëveshjes së pretenduar, protestuesit e ndaluar një ditë më parë, do të lirohen po ashtu.
“Lajmi që ka dalë në media se ka marrëveshje mes protestuesve dhe KFOR-it, nuk qëndron”, thanë nga MPB-ja për REL-in.
Përfaqësuesit politikë të serbëve në veri, që janë parë në negociata me KFOR-in, kanë paraqitur dy kërkesa si kusht për ndalimin e protestave: tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe moshyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave me shumicë serbe në veri.
Nga KFOR-i nuk janë bërë deklarime në lidhje me këto kërkesa.