Pas paralajmërimit, KFOR-i shpërndan protestuesit në Zveçan
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.
"Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi - në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë", ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.
Gaz lotsjellës, flakë dhe shtëllunga tymi kanë përfshirë zonën, ndërkohë që dëgjohen edhe sirena dhe detonime.
Protestuesit në Zveçan shpërndahen nga zona pranë komunës
Gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it.
Kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.
Detonime të kohëpaskohshme dëgjohen po ashtu.
Pamje nga Zveçani
Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë ndaj protestuesve serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit.
Ekipi i REL-it pa ushtarë të lënduar të KFOR-it
Policia e Kosovës nuk ka qenë e pranishme në momentin e intervenimit të KFOR-it kundër protestuesve serbë në Zveçan, raporton ekipi i REL-it në terren.
Kameramani ynë ka parë edhe ushtarë të lënduar të KFOR-it.
Gjatë operacionit u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi.