Para ndërtesës së komunës në Leposaviq
Grupe të serbëve lokalë u mblodhën para ndërtesës së komunës në Leposaviq për të kundërshtuar kryetarin e ri të kësaj komune, Lulzim Hetemi.
Negociata me KFOR-in edhe në Leposaviq
Gazetarët në terren raportojnë se përfaqësues të Listës Serbe janë duke negociuar me KFOR-in edhe në Leposaviq.
Më herët ishte informacioni se kryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, është duke biseduar me përfaqësues të misionit të NATO-s në Zveçan.
Sipas raportimeve, Rakiq tha se kërkesë e serbëve atje është që kryetari i ri i kësaj komune, Ilir Peci, të mos hyjë në objektin komunal. Ai, po ashtu, kërkoi nga KFOR-i që Policia e Kosovës t'i tërheqë njësitet speciale nga kjo zonë.
"Kryetari i ri të mos hyjë në ndërtesën komunale në Zveçan"
Grupe të qytetarëve serbë janë tubuar para ndërtesës së komunës në Zveçan.
Siç raportojnë gazetarët në terren, kërkesë e tyre është që në ndërtesë të mos hyjë kryetari i ri shqiptar, si dhe të tërhiqen forcat speciale të Policisë së Kosovës.
Qytetarë të tubuar ka edhe para ndërtesave komunale në Zubin Potok e Leposaviq.
Kryetari i Zubin Potokut në takim me ambasadorin Hovenier
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha për Radion Evropa e Lirë se do të marrë pjesë në një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë. Zeqiri tha se takimi do të mbahet në orën 9:00 në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
I pyetur nësë gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij në objektin e Komunës së Zubin Potokut, Zeqiri tha se nuk mund ta dijë tani për tani.
“Nuk e di nëse do të shkoj në zyrë sot. E kam agjendën shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë.
REL-i po përpiqet të kontaktojë edhe kryetarët e Leposaviqit dhe të Zveçanit për të mësuar nëse do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga ambasadori amerikan.