Protestat vazhdojnë
Policia e Kosovës njofton se protestat pranë komunave veriore me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë duke vazhduar.
Sipas njoftimit, protestuesit në Zveçan kanë tentuar ta kalojnë kordonin policor pranë ndërtesës së komunës, "duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës".
"Policia është detyruar t'i përdorë mjetet e ligjshme, si sprejin, për t'i ndaluar protestuesit dhe për ta vënë situatën nën kontroll", thuhet në njoftim.
Policia, po ashtu, ftoi qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë thirrjeve të protestave.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë.
- Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë në të tria komunat.
- Gazetarët e REL-it në terren raportojnë se Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - është në negociata me KFOR-in dhe kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Kërkesë e saj është, po ashtu, që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga veriu.
- Për orën 9:00 sot është paralajmëruar një takim i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, me kryetarët e rinj të komunave. Tash për tash, vetëm kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, e ka konfirmuar për REL-in pjesëmarrjen në këtë takim.
- Kujtojmë se më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me policinë.
Daçiq: "Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe"
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se detyrë e KFOR-it është “t’i pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës”, e “jo t’i pengojë punonjësit të hyjnë në ndërtesat [komunale]”.
“Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, tha Daçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.
Komuniteti serb i bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Daçiq shtoi se forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie.
Autoritetet serbe kanë vendosur që forcat e tyre të armatosura të mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë deri në një njoftim të radhës, për shkak të situatës në veri të Kosovës.
Zeqiri e Peci në takim me Hovenierin
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, janë parë duke shkuar në takim me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Zeqiri dhe Peci vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.
Takimi me Hovenierin mbahet në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe pritet të ndiqet edhe nga shefi i kësaj zyre, Tomas Syzjong.
Tash për tash nuk dihet se kush tjetër prej ambasadorëve merr pjesë në takim.