Qetësohet situata në veri të Mitrovicës
Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se situata është qetësuar në veri të Mitrovicës.
Protestuesit janë larguar prej zonës afër shkollës teknike, kurse është zvogëluar edhe prania policore në Lagjjen e Boshnjakëve.
Protestuesit e mbledhur kritikojnë Listën Serbe
Qytetarët e mbledhur afër shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut – pas zhurmës së sirenave, që kanë zgjatur më shumë se një orë – të revoltuar, kanë kërkuar që t’iu drejtohet dikush prej Listës Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Pasi kanë nisur fjalë ofenduese kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Listës Serbe, ata kanë shkuar afër objektit ku jeton Aleksandar Spiriq nga Lista Serbe, dhe kanë kërkuar të flasin me të.
Ndërkohë, turmës i është drejtuar Nebojsha Joviq, nga “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”.
Ai ka thënë se Lista Serbe nuk mund ta përfaqësojë më popullin serb në Kosovë.
Diçka e tillë është duartrokitur nga të pranishmit.
Më pas, turma ka nisur të shpërndahet.
Petkoviq: Millenkoviq nuk është kriminel
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Millun Millenkoviq-Llune – i arrestuar të martën nga Policia e Kosovës - nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Autoritetet kanë thënë se Millenkoviq ka qenë mbrapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, dy javë më parë.
Petkoviq ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd se, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në vend që t’i ulë tensionet, ai po dërgon forca të reja policore në veri të Kosovës.
Petkoviq i ka bërë thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe që t’i largojë forcat speciale nga veriu i Kosovës.
Serbët në veri mblidhen pas një aksioni policor
Disa serbë lokalë janë mbledhur te shkolla teknike në Mitrovicë të Veriut, pas arrestimit të Millun Milenkoviq- Llune, i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka shtuar praninë e saj në Lagjjen e Boshnjakëve. Disa automjete të Policisë së Kosovës pastaj janë parkuar në jug të Mitrovicës, në rrugën që çon në Lagjen e Boshnjakëve.