Ende shihen makina të blindura në jug të Mitrovicës
Automjete të blinduara të Policisë së Kosovës, të parkuara në jug të Mitrovicës, në afërsi të urës që të çon në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve.
Policia thotë se po e "riorganizon" praninë në veri
Disa automjete të Policisë së Kosovës kanë filluar të tërhiqen nga Lagjja e Boshnjakëve, në drejtim të jugut.
Sipas ekipit të REL-it, diçka të tillë ka kërkuar një pjesëtar amerikan i KFOR-it.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka thënë se bëhet fjalë për “riorganizim” të pranisë së tyre.
Sulmohet ekipi i ATV-së në Zveçan
Televizioni lokal në Kosovë, ATV, ka thënë se të martën i është sulmuar një ekip në Zveçan, teksa ka qenë duke raportuar për situatën atje.
Makina e ekipit është sulmuar me gurë, dhe ekipi ka marrë lëndime të lehta trupore.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim për këtë, dhe rastet tjera, të sulmeve ndaj gazetarëve në veri, pas rritjes së tensioneve atje.
Dëgjohen thirrjet “tradhti”
Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se njerëzit që janë grumbulluar në afërsi të shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut, janë duke brohoritur “tradhti” si dhe e kanë ofenduar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.