Pamje tjera nga Lagjja e Boshnjakëve
Automjete të blinduara në Lagjen e Boshnjakëve
Ekipet e Radios Evropa e Lirë i kanë parë disa automjete të blinduara në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.
Automjetet janë parë në rrugën që të çon në drejtim të shkollës së mesme teknike, ku janë mbledhur serbët lokalë.
Haxhiu: Nuk duhet të tolerohen akte kriminale të grupeve kriminale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova nuk duhet të tolerojë akte kriminale të grupeve kriminale.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “pas angazhimit të madh nga ana e Policisë së Republikës së Kosovës është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre”.
Policia e Kosovës e ka nisur të martën një aksion në veri dhe në të është arrestuar Milun Milenkoviq- Llune.
Sipas autoriteteve të Kosovës, ai është një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile'".
Sveçla: Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it
Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
"Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile' dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës", tha ministri në Facebook.
Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.