Rashiti për REL-in: Uashingtoni me ndryshim drastik të politikës ndaj Kosovës
Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë bërë një ndryshim drastik të politikës ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rashiti thotë se Uashingtoni dhe Perëndimi e kanë zbutur qëndrimin ndaj Serbisë dhe Beogradi është bërë i “përdorshëm” për të kryer disa shërbime për Perëndimin.
Sa i përket tensioneve në veri të Kosovës, sipas tij, ato kanë ardhur si pasojë e “pritjeve” nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas Rashitit, formati aktual i dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja, nuk sjell normalizim të raporteve.
Në këtë intervistë, ai flet edhe për draft-statutin e hartuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin e cilëson si “iniciativë koti”.
Intervistën e plotë me Naim Rashitin mund ta lexoni më poshtë:
"Pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është opsion"
Burimet e Bashkimit Evropian, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën - që është përmendur si mundësi në media, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit - nuk është opsion.
Por, të njëjtat burime, kanë pranuar se edhe në BE po shqyrtohet mundësia e marrjes së masave ndaj Kosovës, në rast se vazhdojnë të mos përfillen kërkesat për uljen e tensioneve në veri, dhe gjetjen e një zgjidhjeje për t’i kthyer serbët në institucionet lokale të asaj pjese.
Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, edhe më 9 qershor.
Ata po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në linkun më poshtë:
Kurti: Të zbatohet marrëveshja për normalizim
Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 9 qershor, në konferencën “Kroacia Evropiane: retrospektiva dhe perspektiva”, në Dubrovnik.
Kurti shtoi se Kosova “duhet të përballet me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në ‘botën serbe’ dhe e shikojnë atë me botën ruse... këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviqin apo Putinin”, theksoi ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), më herët, i kanë bërë thirrje Kurtit që të largojë kryetarët e komunave nga objektet komunale në komunat veriore dhe njësitë speciale të policisë, të cilat ndihmuan vendosjen e tyre në ato objekte.
Lajmin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
KFOR-i: Grupet kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme në Zveçan
Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, ka thënë se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.
Gallieni ka thënë se grupet e dhunshme janë organizuar për të sulmuar, dhe se i takon Policisë së Kosovës që t’i identifikojë ato.
Atë ditë protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, dhe të plagosur ka pasur prej të dyja anëve.
Në një konferencë për media, Gallieni, i ka komentuar të premten ngjarjet që kanë ndodhur në veri të Kosovës, prej 29 majit.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet hakmarrëse. Sepse, siç e kanë dëshmuar edhe këto ngjarje, gjithçka mund të përshkallëzohet në nivel të madh të dhunës, prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha palët t’i kenë parasysh pasojat dhe rreziqet e veprimeve të tyre”.
Ai ka thënë se të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi.
"Njëra palë, për marrjen e vendimeve, pa e marrë parasysh shkallën e sigurisë, dhe pala tjetër të reagojë për veprimet e dhunshme që janë parë në mesin e protestuesve".
Lajmi i plotë: