Numër më i vogël i protestuesve në Zveçan
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se në këtë qytet janë duke u mbajtur protesta për të 12-ën ditë me radhë.
Megjithatë, numri i protestuesve është shumë më i vogël, sesa në ditët paraprake.
Prezent në protestë është edhe ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.
Hill: Kemi probleme shumë thelbësore me Kurtin
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Uashingtoni ka “disa probleme shumë thelbësore” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hill u pyet nëse Kurti është i gatshëm të pranojë tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por, këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, tha ai.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Kurti: Emisarët perëndimorë po vijnë te ne me kërkesa të palës tjetër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ankua për njëanshmëri ndaj shtetit të tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe për tolerancë, ndaj, siç e cilësoi ai, regjimit autoritar të Serbisë.
Në një intervistë për Associated Press, Kurti tha se Qeveria e tij ka marrë një qëndrim ndryshe.
“Ne insistojmë që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bën atë të sillet më mirë. E kundërta”, tha ai.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, “vijnë te ne me kërkesa të palës tjetër”, tha Kurti.
Çfarë po kërkojnë diplomatët e huaj nga Kurti?
Diplomatët të huaj kanë qëndruar ditëve të fundit në Prishtinë dhe Beograd, në kërkim të një zgjidhjeje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Ata i janë drejtuar Kosovës me tri kërkesa, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me propozimin e tij.
Video: