Ndërlidhjet

Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.
Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.

Qetësohet situata në Mitrovicë të Veriut

  • Rreth orës 13:00 të së martës, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirena alarmi.
  • Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri.
  • Sipas tij, Policia e Kosovës në këtë aksion e ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile’”.
  • Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
  • Serbët lokalë kanë organizuar në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
  • Ata kanë protestuar rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
12:05 8.6.2023

Rama propozon draft për Asociacionin, kërkon terheqjen e Policisë së Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se dje ua ka përcjellë një draft për Asosacionin e komunave me shumicë serbe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama tha se nuk është konsultuar për këtë draft me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai tha se drafti është hartuar nga ekspertë të pavarur, ndërsa shtoi se edhe ai vetë ka dhënë kontribut.

Në fjalimin e tij, Rama gjithashtu shtoi se është shumë i shqetësuar për situatën ku ndodhet Kosova dhe se nuk dëshiron të përkeqësohet situata apo të vendosen sanksione ndaj saj.

"Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më se si duhet hartuar", tha Rama.

“Ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, nëse ata i kthejnë shpinën, mos ndodhtë kurrë, por ajo shtëpi [Kosova] hyn në ditët e saj më të errëta”, shtoi ai, duke bërë thirrje që Policia e Kosovës të tërhiqet.

Për më shumë detaje, lexoni lajmin e mëposhtëm:

10:34 8.6.2023

Oda Ekonomike Amerikane i bën thirrje Kosovës t'i dëgjojë kërkesat e Perëndimit

Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i marrë “menjëherë parasysh thirrjet nga SHBA-ja dhe BE-ja për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, në mënyrë që të tërhiqen investitorët dhe të mbështetet rritja e qëndrueshme ekonomike.

“Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm”, thuhet në deklaratën e Odës Ekonomike Amerikane, të publikuar më 8 qershor.

Oda Ekonomike Amerikane është shprehur e shqetësuar ngjarjet në veri dhe për “mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në”.

Në këtë deklaratë thuhet tutje se SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë mbështetëse dhe e kanë ndihmuar Kosovës në zhvillimin e saj politik dhe ekonomik, duke kërkuar kështu që Qeveria e Kosovës të dëgjojë kërkesat e tyre.

Për më shumë detaje, lexoni lajmin e mëposhtëm:

09:09 8.6.2023

Numër më i vogël i protestuesve në Zveçan

Serbë lokalë po vazhdojnë të protestojnë në Zveçan, ku një numër më i vogël i protestuesve është grumbulluar sot pranë ndërtesës komunale.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se automjetet e njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë parkuar pranë ndërtesës së komunës, në rrugën ku gjendet shkolla dhe ku është e vendosur një tendë.

07:54 8.6.2023

Mirëmëngjesi të nderuar lexues,

Do të raportojmë edhe sot për zhvillimet në veri, në kohë reale.

Qëndroni me ne!

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG