Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i marrë “menjëherë parasysh thirrjet nga SHBA-ja dhe BE-ja për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, në mënyrë që të tërhiqen investitorët dhe të mbështetet rritja e qëndrueshme ekonomike.
“Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm”, thuhet në deklaratën e Odës Ekonomike Amerikane, të publikuar më 8 qershor.
Në veri të Kosovës, protestat që po vazhdojnë ende kanë shpërthyer qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ka ndihmuar kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Për tensionet në veri, përkatësisht mospërfilljen e këshillave të SHBA-së në lidhje me hapat e nevojshëm atje, Kosova është përjashtuar tashmë nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja në Evropë.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka tërhequr policinë e as kryetarët shqiptarë nga zona veriore e vendit, e banuar me shumicë serbe.
Oda Ekonomike Amerikane është shprehur e shqetësuar ngjarjet në veri dhe për “mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në”.
Në këtë deklaratë thuhet tutje se SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë mbështetëse dhe e kanë ndihmuar Kosovës në zhvillimin e saj politik dhe ekonomik, duke kërkuar kështu që Qeveria e Kosovës të dëgjojë kërkesat e tyre.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar nga Kurti të tërheqë kryetarët dhe policinë nga veriu dhe të organizojë zgjedhje të reja lokale. Kërkesa të ngjashme ka bërë edhe Bashkimi Evropian.
Kurti pranoi se ka sfida në raportet me emisarët ndërkombëtarë, por nuk foli për kërkesat e tyre. Ai tha se ka ofruar një “dalje të qëndrueshme dhe të sigurt” nga kriza në veri, e cila, sipas tij, përfshin sundimin e ligjit në këtë zonë dhe largimin e “grupeve kriminale serbe” prej atje.
Kurti vazhdimisht ka këmbëngulur se nuk mund të bëjë kompromise me “republikën demokratike”.