Osmani e hapur për zgjedhje të reja në komunat në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Osmani ka thënë se beson që peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se largimi i kryetarëve aktualë, përmes një peticioni, do të ishte “në lloj referendumi”, i cili do të hapte rrugë për një proces të dytë zgjedhor.
Ajo ka thënë se gjithë procesi mund të kryhet brenda muajsh.
Osmani ka thënë se para se të shpallen zgjedhjet e reja, Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë.
Materiali i plotë:
Escobar: Vuçiq do ta shfrytëzonte ndikimin për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.
"Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen".
"Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte", tha ai.
Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd, ku udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Escobar, i cili një ditë më herët e kritikoi ashpër Kurtin për "mungesë bashkëpunimi" në shtensionimin e situatës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.
Serbët, pas thirrjeve të Beogradit, i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
"Sfida më e madhe për Serbinë tani është t'i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]", tha Escobar.
Materiali i plotë:
Lajçak çmon “gatishmërinë e Vuçiqit” për të kontribuuar në ulje të tensioneve
I dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, e ka çmuar gatishmërinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për, siç ka thënë ai, të kontribuuar në gjetjen e një zgjidhjeje politike për tensionet në veri të Kosovës.
Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, qëndrojnë të mërkurën në Beograd, për të diskutuar me autoritetet atje, për rëndësinë e uljeve të tensioneve në veri të Kosovës.
“Në Beograd, Escobari dhe unë kemi pasur diskutime të gjata me presidentin Vuçiq, lidhur me situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Dhuna nuk është kurrë e pranueshme, dhe kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike për krizën aktuale”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Escobar dhe Lajçak kanë qëndruar më 5 dhe 6 qershor në Kosovë, dhe janë takuar me zyrtarë të lartë shtetërorë.
Escobar ka thënë për gazetarët në pasditen e së martës se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por ka shtuar se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” - duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne - ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”.
Numër më i vogël i protestuesve në Zveçan
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan, raporton se të mërkurën në këtë komunë vërehet numër më i vogël i protestuesve, sesa në ditët paraprake.
Serbët lokalë vazhdojnë të kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.